Konferenca Vjetore Rajonale “Kapacitetet e Sektorit Publik dhe atij Civil për Përthithjen e Fondeve të BE-së” u zhvillua në Budva, nga data 25 deri më 27 nëntor 2016, dhe mblodhi së bashku zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe organizata partnere nga grupi i Visegradit.
Gjatë sesionit të parë me titull “Prezantimi i Hulumtimit Rajonal mbi Kapacitetet Përthithëse të Institucioneve të Vendeve për Fondet e BE-së”, hulumtimin e paraqitën panelistët: Mila Brnović (Lëvizja Europiane në Mal të Zi); Michal Vit (EUROPEUM, Pragë, Republikë Çeke), Mona Xhexhaj (Lëvizja Europiane në Shqipëri); Mareike Meyn (Bashkëpunimi Ndërkombëtar Gjerman, Mbështetje për Procesin e Integrimit Europian në Kosovë) dhe Ivana Lazarević (Lëvizja Europiane në Serbi). Moderatore e panelit të parë ishte Anna Orosz (Instituti për Punë të Jashtme dhe Tregti, Budapest, Hungari).
Panelet e kësaj konference trajtuan në sesione të tjera tema të ndryshme si: “Prezantimi i Hulumtimit Rajonal mbi Kapacitetet Përthithëse të Institucioneve për Fondet e BE-së”; “Kapacitetet e sektorit publik për përthithjen e fondeve të BE-së dhe bashkëpunimi me sektorin civil në procesin e integrimit në BE”; “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor – Si të ringjallim zgjerimin?”; “Bashkëpunimi rajonal dhe Kontributi i OJQ-ve”, dhe sesioni i fundit: “Kapacitetet e Shoqërisë Civile në Procesin e Integrimit Europian – A po mbetemi pas?”.
