GP IV, Sesioni 2: Organet e menaxhimit dhe zbatimit të programeve të financuara nga BE, 18 janar 2021

Më 18 janar 2021, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në partneritet me Slovak Foreign Policy Association dhe mbështetjen e SlovakAid, organizoi  në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2019-2021, Sesionin II të Grupit të Punës IV me fokus Kapitullin 22. Tema kryesore e aktivitetit ishte : “Organet e menaxhimit dhe zbatimit të programeve të financuara nga BE”.

Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i EMA, hapi Sesionin II për Grupin e Punës IV të Konventës. Fillimisht ai falenderoi të gjithë  pjesëmarrësit dhe bëri një përmbledhje të shkurtër të Sesionit 1 të Konventës duke e lidhur me objektivat e Sesionit 2. Zoti Gjipali deklaroi se duke marrë parasysh pozicionin e Shqipërisë në integrimin europian mundësitë qe hapen me projektet e financuara nga BE-ja do vijnë duke u shtuar.

Ermal Ilirjani, ngaFondi Shqiptar i Zhvillimit (ADF) shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë e pjesëmarrjes në këtë aktivitet dhe theksoi rolin e autoritetit menaxhues të ADF në zbatimin e reformës së zhvillimit rajonal dhe kohezionit. Ai shtoi se kjo reformë është marrë përsipër nga qeveria shqiptare dhe është pjesë e Kapitullit 22 të Acquis të BE. Zoti Ilirjani shprehu një interes të veçantë për mënyrat më të përshtatshme të paraqitjes dhe hartimit të nismave dhe programimit në kuadër të IPA III.

Florian Xhafa, eksperti i brendshëm i Konventës prezantoi procesin e programimit të IPA III. Ai bëri me dije se ky proces ka filluar në 2018 dhe planifikohet të zbatohet në periudhën 2021-2027 në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Zoti Xhafa theksoi disa risi të këtij programi:

  • Buxheti është rritur afërisht (14.5 miliardë €; pra mbi 13%)
  • Ka pesë dritare tematike dhe objektiva të caktuara
  • Ky programim bëhet bazuar në performacën e vendit
  • Fondet orientohen drejt problematikave kryesore të vendit

Zoti Xhafa tha se qeveria shqiptare ka filluar të përgatisë përgjigjet strategjike dhe aktualisht është në fazën e dërgimit të dokumenteve. Secili dokument përmban objektivat dhe buxhetin e nevojshëm për zbatimin e çdo projekti. Në fazën tjetër, Komisioni bën një vlerësim paraprak dhe dërgon një përgjigje të përshtatshme në varësi të cilësisë. Implementimi i programit fillon në momentin që nënshkruhet një marrëveshje financiare. Xhafa shtoi se ndryshe nga IPA II, IPA III nuk ka portofol të posaçëm për secilin vend dhe se ato duhet të konkurrojnë mes tyre për të tërhequr fondet.

Vladimir Benč, eksperti Sllovak në prezantimin e tij lidhur me temën mori si shembull përvojën e BE-së dhe Sllovakisë. Ai deklaroi se Komisioni Europian bën një analizë të detajuar të planit buxhetor të secilit shtet anëtar, sfidave makroekonomike dhe nevojave për reforma strukturore. Në varësi të përfundimeve qeverive u ofrohen rekomandime specifike për 12-18 muajt e ardhshëm.  Zoti Benč vazhdoi duke bërë një raport të hollësishëm mbi  objektivat e Sllovakisë për 2021-2027.  Ai e shpjegoi të gjithë procedurën hap pas hapi duke filluar nga vendimet në nivel kombëtar, marrëveshjen e partneritetit dhe së fundmi menaxhimin dhe zbatimin e projekteve. Një pjesë të rëndësishme zënë rolet e ndryshme të Autoritetit Qendror të Koordinimit si udhëzimi i njësive ekonomike në fushën e sistemit të menaxhimit ESIF; përgatitja e një modeli të strategjisë së komunikimit ; hartimi i një statuti dhe rregulloreje të Procedurës së Komitetit Kombëtar të Monitorimit etj.  Benč shpjegoi hollësisht rolin e Komitetit Kombëtar të Monitorimit i cili është përgjegjës për vëzhgimin dhe vlerësimin periodik të zbatimit të reformës së kohezionit dhe efikasitetit të aktiviteteve që kanë të bëjnë me sigurimin e granteve nga Fondi Europian. Ai gjithashtu shpjegoi rolet dhe detyrat kryesore të Autoritetit Menaxhues (MA), duke sjellë në vëmendje  që MA në Sllovaki luan rolin e një autoriteti kontraktues dhe se mund tua delegojë të drejtat organeve të tjera ndërmjetësuese (IB). Këto organe mund të punësojnë ekspertë për të vlerësuar projektet, por nuk kanë të drejtë t’i zgjedhin ato. Gjithashtu mund të kryejë auditime dhe inspektime në terren. Në përfundim të aktivitetit, zoti Benč ndau faqen që u mundëson të gjithë aplikantëve të dërgojnë projektet e tyre në mënyrë elektronike për të përfituar nga Fondet ESI.

Ju mund ta ndiqni aktivitetin në YouTube në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=7lbyphkQxFE&list=PLo5-u0UaQgmxnsrpqr63G8Zyhy_wgo-QX&index=2