GP I, Sesioni 3: Roli i grupeve të interesit në negociatat për anëtarësim në BE – përvoja sllovake, 18 qershor 2021

Në kuadër të Konventës Kombëtare mbi Integrimin Europian 2019-2021, Ministria e Drejtësisë dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Shoqatën Sllovake për Politikën e Jashtme (SFPA) dhe me mbështetjen financiare të Slovak Aid/Asistenca Zyrtare për Zhvillim e Republikës së Sllovakisë, organizuan më 18 qershor 2021 Sesionin 3 të GP I – Kapitulli 23. Sesioni u fokusua te  “Roli i grupeve të interesit në negociatat për anëtarësim në BE – përvoja sllovake”.

Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e kësaj teme për vendin tonë. Ai shpjegoi Platformën e Partneritetit dhe Integrimit Europian (PPIE) vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë. Më tej, Gjipali dha një panoramë të përgjithshme të reformave, rolit të shoqërisë civile dhe medias në procesin e negociatave për anëtarësim.

Elona Hoxha, Drejtore e Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive në Ministrinë e Drejtësisë u shpreh se Ministria e Drejtësisë, si institucioni lider në përgatitjen dhe koordinimin e procesit të negociatave për Kapitullin 23 dhe Kriterin Politik ka përgjegjësi për ta shtyrë përpara procesin e harmonizimit të legjislacionit me Acuqis e BE-së. Ajo tha se kuadri ligjor i reformës në drejtësi është botuar pothuajse me të gjitha aktet nënligjore dhe se struktura institucionale është funksionale. Hoxha u shpreh se janë ngritur mekanizma që synojnë çrrënjosjen e korrupsionit në sektorët më të ndjeshëm. Më tej, u përmend ndihma juridike falas dhe reformat që kanë hedhur themelet e një drejtësie të qëndrueshme për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve. Procesi i negociatave kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve ku shoqëria civile e pajisur me kapacitete dhe ekspertizë do të duhet të luajë rolin e saj monitorues dhe këshillues. Qeveria shqiptare ka krijuar Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian që synon integrimin e të gjithë grupeve të interesuara. Hoxha u shpreh se institucionet shqiptare kanë nevojë të dëgjojnë dhe shkëmbejnë eksperienca me vendet që e kanë kaluar më parë fazën e negociatave. Në përfundim të fjalës së saj, ajo informoi se Ministria e Drejtësisë ka përfunduar punën për hartimin e paketës strategjike për fazën e dytë të reformës në drejtësi për vitet 2021-2025.

Radovan Geist, Kryeredaktor i Euractiv.sk  bëri një përshkrim të rrugës që ka ndjekur Sllovakia për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian. Ai tha se integrimi në BE është një zgjedhje racionale për një vend si Shqipëria por shoqërohet me pritshmëri të larta për ndryshim. Geist u shpreh se kapitulli 23 është i një rëndësie të veçantë për sa i përket të ardhmes dhe arritjes së një konsensusi politik dhe publik për të mbështetur integrimin. Në vijim, ai përmendi arsyet specifike që bëjnë ndryshimin mes rastit të Sllovakisë dhe Shqipërisë. Geist tha se BE-ja ka ndryshuar strukturën e saj institucionale dhe ka përforcuar legjislacionin që lidhet me shtetin e së drejtës. Ai shtoi gjithashtu se klima politike dhe mënyra e bërjes së negociatave ka ndryshuar dhe se Europianizimi niset nga reformat e brendshme dhe nuk është pasojë e anëtarësimit. Geist bëri me dije se anëtarësimi europian nuk është objektivi final, por një katalizator për ndryshime pozitive. Shqipëria duhet të përforcojë pavarësinë e institucioneve shtetërore dhe të luftojë korrupsionin. Me tej, ai foli për rëndësinë e medias duke theksuar se raportimi i asaj çfarë ndodh në vend është më i rëndësishëm se raportimi nga Brukseli kur bëhet fjalë për procesin e anëtarësimit. Geist tha se media po kalon një krizë të përgjithshme dhe se BE nuk i zgjidh dot problemet e kontrollit politik,  komercializimit dhe presionit të tregut.

Diskutim i hapur: Pyetjet u ngritën mbi rolin e medias në procesin e negociatave, kontrollin politik të  mediave në Shqipëri, përfitimet e vendit nga anëtarësimi, udhëzimet për të evituar gabimet e Sllovakisë dhe hapat konkrete që duhen ndërmarrë për të bërë progres.

 Linku: https://youtu.be/_onkfPb_apk