Më datën 14 maj 2024, Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me organizatën Pro LGBT organizuan tryezën e radhës për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian me temë “Integrimi në Shqipëri dhe Europë i secilit prej nesh – mbrojtja e të drejtave themelore dhe komunitetet e margjinalizuara”. Në këtë aktivitet u diskutuan çështje të lidhura me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht mbrojtja dhe promovimi i tyre me një vëmendje të veçantë ndaj grupeve të margjinalizuara në Shqipëri.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në fjalën e tij hyrëse, artikuloi rëndësinë e bashkëpunimit të Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, duke theksuar rolin kryesor të shtetit të së drejtës dhe angazhimin aktiv të shoqërisë civile. Gjipali, nënvizoi të drejtat themelore janë një nënkapitull i veçantë brenda Kapitullit 23 dhe është e domosdoshme që Shqipëria, si shtet pretenduese për t’u bërë pjesë e BE-së, të përqafojë dhe mbrojë plotësisht të drejtat e të gjithë qytetarëve në Shqipëri, dhe përfaqësuesve të komuniteteve siç është dhe komuniteti LGBT. Ai nënvizoi rolin e domosdoshëm që kanë aktorët e shoqërisë civile për tu përfshirë. Gjithashtu, ai theksoi se është thelbësore për politikëbërësit, organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetin e gjerë që të punojnë për të çmontuar praktikat diskriminuese dhe për të krijuar një mjedis ku të gjithë mund të jetojnë hapur dhe autentikisht.
SH.T.Z Silvio Gonzato, Ambasador i Bashkimit Europiane në Shqipëri, në emër të javës së Europës kishte qëllim që mes këtij aktiviteti të përcillte frymën e gjithëpërfshirjes dhe, diversitetit. Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBT në Shqipëri. Ai bëri thirrje për reforma ligjore gjithëpërfshirëse, pranim shoqëror dhe veprime konkrete për të garantuar dinjitetin dhe sigurinë e të gjithë individëve, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual apo identiteti gjinor. Ai theksoi gjithashtu nevojën që qeveria shqiptare të ketë prioritet zbatimin e ligjeve dhe politikave ekzistuese që mbrojnë të drejtat e individëve LGBT dhe të luftojë në mënyrë aktive diskriminimin dhe dhunën ndaj tyre. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit njerëzor dhe respektit për të gjithë individët. Ambasadori Gonzato nënvizoi gjithashtu rolin e medias në ndërgjegjësimin për çështjet LGBT dhe promovimin e pranimit e komunitetit. Në përfundim, ai tha se diversiteti nuk është vetëm një vlerë themelore njerëzore, por edhe një burim i vlefshëm për shoqërinë.
Alba Ahmetaj, Drejtore Ekzekutive e organizatës Pro LGBT, theksoi rëndësinë e avokimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave ndaj grupeve të margjinalizuara në Shqipëri. Ajo theksoi nevojën për barazi, pranim dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe dhuna. Ahmetaj theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe mbështetjes nga aleatët në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse për individët e komunitetit LGBT.
Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, reflektoi mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe mbrojtjen e komunitetit LGBT. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi theksoi se si diskriminimi ndaj komunitetit LGBT shkel të drejtat themelore të Kushtetutës duke theksuar nevojën për njohjen e të drejtës të gjithsecilit për të krijuar familje. Ai theksoi ndikimin e dëmshëm të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, duke theksuar se ajo cenon parimet e barazisë dhe të drejtave të njeriut. Komisioneri nënvizoi se duhen marrë masa për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar pranimin dhe tolerancën ndaj komunitetit LGBT, dhe kjo duhet bërë jo vetëm nëpërmjet ndryshimeve ligjore si përditësimi i Kodit të Familjes apo Kodit Penal sa i përket krimeve të urrejtjes, por dhe duke promovuar këto të drejta, duke rritur informimin dhe ndërgjegjësimin dhe debatin publik mbi këto çështje.
Dea Nini, Eksperte ligjore pranë organizatës Aleanca LGBT, në fjalimin e saj bëri një analizë të thellë të çështjeve ligjore dhe paragjykimeve me të cilat përballen grupet e margjinalizuara në Shqipëri. Ajo nënvizoi numrin e lartë të krimeve të urrejtjes ndaj individëve bazuar në orientimin e tyre seksual, duke përmendur raste të dhunës fizike, abuzimit verbal, bullizimit dhe diskriminimit. Për më tepër, ekspertja u thellua në kompleksitetin ligjor që rrethon këto raste, duke vënë në dukje boshllëqet në ligjet ekzistuese dhe sfidat që hasen nga mosmarrja e masave të duhura. Për më tepër, ajo theksoi ndikimin e thellë të këtyre krimeve në jetën e individëve LGBT, duke rezultuar shpesh në shqetësime psikologjike, margjinalizim social dhe një ndjenjë pasigurie brenda komunitetit. Për më tepër, ajo nënvizoi rëndësinë e ndërgjegjësimit për të drejtat dhe përvojat e komunitetit LGBT brenda sistemit ligjor dhe shoqërisë më të gjerë. Në përfundim të fjalës të saj, Nini argumentoi se shoqëria civile duhet të punojë drejt krijimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë ku të gjithë trajtohen me dinjitet dhe respekt, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual apo identiteti gjinor.
Nirvana Deliu, hulumtuese politikash për çështjet e integrimit pranë organizatës Lëvizja Europiane në Shqipëri, analizoi në fjalim e saj politikat e ndërmarra në kuadër të integrimit europian dhe rolin advokues dhe monitorues që shoqëria civile luan dhe duhet të luajë në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT. Deliu nënvizoi se si kuadri i integrimit europian shërben si një katalizator për avancimin e të drejtave të LGBT në Shqipëri. Gjithashtu, Deliu nënvizoi rëndësinë e organizatave të shoqërisë civile për t’i mbajtur autoritetet përgjegjëse dhe për të siguruar zbatimin efektiv të këtyre politikave nëpërmjet përfshirjes së tyre aktive në procesin konsultues duke përdorur dhe strukturat e konsultimit dhe përfshirjes siç është Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian me 33 tryezat e saj për çdo kapitull.
Pjesëmarrësit diskutuan me interes dhe dëshirë për të vazhduar bashkëpunimin në rrugën drejt krijimit të standardeve si në Bashkimin Europian. Ata reflektuan në lidhje me sfidat që grupet e margjinalizuara hasin, duke u fokusuar në rëndësinë e vazhdimësisë së zbatimit të reformave, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. Ky aktivitet ofroi një hapësirë të lirë për diskutim me grupet e interesit, shoqërinë civile, aktivistët dhe ekspertët me institucionet shtetërore mbi çështje të lidhura me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e grupeve të margjinalizara. Në fund, pjesëmarrësit u pajtuan me rëndësinë e shoqërisë civile, dhe roli aktiv që duhet të luaj në procesin politikëbërës.