Tryeza për Kapitullin 23 në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian financuar nga Bashkimi Europian dhe organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Lëvizja Europiane në Shqipërinë më 28 mars 2024, bëri së bashku anëtarë të tryezës dhe aktorë të ndryshëm të institucioneve shtetërore, organizata të shoqërisë civile, profesionistë të ligjit, ekspertë dhe aktivistë për të diskutuar mbi mbrojtjen e fëmijëve online nga çdo lloj forme dhune dhe abuzimi. Ekspertët panelistë gjatë prezantimeve të tyre sollën në vëmendje çështje kritike lidhur me mbrojtjen e fëmijëve në internet dhe parandalimin e krimit tek të miturit.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në fjalën e tij hyrëse, nënvizoi se sa e rëndësishme është të merren masa për këtë temë të re në fushën e ligjit. Gjipali bëri të qartë se bashkëpunimi mes strukturave shtetërore dhe aktorëve të shoqërisë civile është pikë thelbësore dhe nevojitet për të sjell rezultate të mirëfillta e të prekshme. Ai theksoi që përfshirja e ekspertizës sllovake në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian po ndihmon që Shqipëria të krijojë një pamje të qartë mbi metodat dhe eksperiencat më të mira që mund të marrim nga një vend anëtar i Bashkimit Europian.
Elona Bano, Drejtore e Integrimit dhe Negociatave në Ministrinë e Drejtësisë, ofroi një panoramë të qartë mbi punën që Ministria dhe institucionet e lidhura po bëjnë në kuadër të procesit të negociatave për Kapitullin 23, ku theksoi që janë realizuar me sukses piketat hapëse për këtë kapitull. Një dokument i rëndësishëm i përgatitur së fundmi është dhe Udhëzuesi i Shtetit të së Drejtës, ku përfshihen dhe masa konkrete prioritare ndaj luftës së krimit kibernetik dhe sigurisë në internet. Bano, gjithashtu ndau detaje rreth përditësimeve të fundit lidhur me masat dhe reformat të ndërmarra në kuadër të ndërgjegjësimit të të miturve ndaj rreziqeve që mund të hasin në internet duke theksuar që mbetet sfiduese duke qenë një fushë e re. Ajo përmendi dhe punën që është në proces për hartimin e Kodit të ri Penal, ku ftoi dhe të gjithë aktorët e shoqërisë civile që të jenë aktive dhe kontribuuese në proces për realizimin e bashkëqeverisjes gjithëpërfshirëse dhe me rezultate të prekshme.
JUDr. PhDr. Lilla Garayova, PhD.,Zëvendës Dekane e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Pan-Europian në Bratislavë, Sllovaki, paraqiti një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi mbrojtjen e fëmijëve nga forma të ndryshme të dhunës dhe abuzimit në internet. Garayova bëri të qartë se mbi 40% e fëmijëve të moshës 9 deri në 16 vjeç që përdorin internetin janë përfshirë në bullizmin kibernetik, ekspozimin ndaj përmbajtjeve të dëmshme, dhe shkeljen e privatësisë. Ajo prezantoi më tej platformën e quajtur Stopline.sk, e cila ka përgjegjësi të luftoj kundër: abuzimit të fëmijëve (si pornografia e fëmijëve, shfrytëzimi seksual, prostitucioni i fëmijëve, trafikimi i fëmijëve, kujdesi ndaj tyre dhe të tjera), manifestimet që shkelin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut (intoleranca, racizmi, ksenofobia, antisemitizmi, anticiganizmi dhe të tjera), përmbajtje ose aktivitete të tjera që tregojnë shenja të veprave penale. Në platformën Stopline.sk është shënuar një rritje e ndjeshme, duke përfshirë dhe raste të abuzimit seksual online të fëmijëve. Numri i raporteve është rritur nga 4,104 në vitin 2016 në 6,609 në vitin 2017, shumicën e tyre të lidhura me përmbajtjen pornografike të fëmijëve. Ekspertiza e Garayova në ligjin sllovak dhe njohuritë e gjera të saj, siguruan një kuptim të plotë të kuadrit ligjor të nevojshëm për të adresuar këto sfida në nivel kombëtar dhe europian. Dr. Garayova gjatë prezantimit pati mundësinë të diskutojë masat legjislative, konventat ndërkombëtare dhe rolin e qeverive dhe palëve të interesuara në krijimin e një mjedisi më të sigurt në internet për fëmijët.
Anda Hysi, nga Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, Ministria e Drejtësisë bëri një prezantim të punës së Qendrës ku punon, mbi misionin dhe aktivitetet e saj. Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) është një institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, dhe është relativisht e re, e cila ka filluar veprimtarinë e saj në mars të vitit 2021. Tre shtyllat kryesore në të cilat QPKMR ushtron veprimtarinë e saj mbështeten në: Parandalim, Rehabilitim dhe Riintegrim me fokus fëmijët e të miturit. Hysi shtoi se qendra ushtron veprimtarinë parandaluese nëpërmjet aktiviteteve dhe fushatave sensibilizuese dhe informuese në kuadër të rritjes së ndërgjegjësimit të komunitetit që do të mirëpresë të miturit pas përfundimit të periudhës së dënimit apo lirimit me kusht. Ajo solli qasje praktike për parandalimin e krimit të të miturve, duke përfshirë arsimin, angazhimin e komunitetit, programet e rehabilitimit dhe bashkëpunimin ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, institucioneve arsimore dhe shërbimeve sociale.
Të gjithë panelistët nënvizuan urgjencën e adresimit të kërcënimeve në internet ndaj fëmijëve dhe zbatimin e masave efektive parandaluese për të mbrojtur mirëqenien e tyre. Prezantimi i panelistëve solli diskutime mbi hapat, sfidat dhe mundësitë e ardhshme në këto fusha vendimtare të mbrojtjes së fëmijëve dhe parandalimit të krimit. Në përgjithësi, aktiviteti siguroi njohuri të vlefshme dhe strategji të zbatueshme për të trajtuar këto çështje urgjente në epokën dixhitale ku vlerë e shtuar ishte dhe nxjerrja e rekomandimeve dhe sugjerimeve nga anëtarët e tryezës. Diskutimi vuri theksin mbi rritjen e bashkëpunimit mes aktorëve shtetërorë dhe atyre jo-shtetërorë për të bashkuar forcat, rolin e madh që ka media online por jo vetëm në edukimin, informimin por dhe në paraqitjen e përmbajtjeve që jo gjithmonë marrin në konsideratë mbrojtjen dixhitale të fëmijëve, si dhe nevoja për më shumë informim dhe ndërgjegjësim drejtuar jo vetëm të miturve, por dhe prindërve, mësuesve, përfaqësuesve të medias apo ofruesve të shërbimit të internetit.