U zhvillua më 31 janar 2024, në mjediset e Shtëpisë së Europës tryeza për Kapitullin 24 – Drejtësi, Liri, Siguri nga Ministria e Brendshme dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri, si pjesë e Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, në kuadër të aksionit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE” mbështetur nga Bashkimi Europian (IPA CSF 2021).
Zëvendës Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh që në këtë fazë ku ndodhet vendi është shumë i rëndësishëm angazhimi dhe realizimi i të gjitha planeve dhe aktiviteteve, ku këto angazhime janë reflektuar në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës i cili sipas zv. ministrit duhet të shërbejë si busull për të gjitha nismat që do të ndërmerren. Për të realizuar objektivat e vendosura, puna e përbashkët dhe angazhimi operacional janë kyç, kjo e kombinuar dhe me asistimin dhe mbështetjen nga organizmat ndërkombëtarë si IOM, Europol, FRONTEX dhe vendet e BE-së. Në lidhje me punën dhe bashkëpunimin që institucionet shqiptare po forcojnë me agjencitë europiane, zv. Ministri përmendi takimet dhe vizitat që janë bërë nga delegacioni shqiptar në Frontex dhe me zyrën Europiane të Azilit, të cilat janë me vlerë për të vendosur ura bashkëpunimi, por dhe për njohjen më nga afër të punës të këtyre agjencive, shpjegimit të standardeve por dhe konkretizimi i çështjeve që lidhen drejtpërdrejt dhe me Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës dhe masat e veprimit që shteti shqiptar duhet të ndërmarrë. Ai theksoi që bashkëpunimi operacional është me shumë rëndësi për të realizuar të gjitha objektivat e vendosura.
Suela Jahaj, Drejtore e Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës, në Ministrinë e Brendshme në fjalën e saj nënvizoi dhe njëherë rëndësinë që Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës ka për procesin e negociatave për Kapitullin 24, dhe ai në terma të tjerë mund të cilësohet dhe si një dokument detyrues për Ministrinë e Brendshme dhe masat dhe reformat që duhet të ndërmarrë në të ardhmen ku përfshihet dhe Strategjia e re Kombëtare për Migracionin. Strategjia e Migracionit sipas Jahaj mund të konsiderohet një projekt ambicioz, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtare dhe mbështetet në dy plane veprimi.
Gledis Gjipali, Drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri nënvizoi faktin që këto takime konsultimi ofrojnë mundësinë të bëjnë bashkë aktorët jo-shtetërorë, ekspertët dhe institucionet publike duke i dhënë mundësinë që ekspertët të kontribuojnë e të bëhen pjesë si dhe grupet e interesit të shprehin problematikat dhe shqetësimet që mbulojnë Kapitullin 24. Gjipali ritheksoi sa e rëndësishme është dhe mbështetja që Bashkimi Europian por dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë po ofrojnë për ta bërë këtë proces sa më kuptimplotë dhe që të sjellë rezultate të prekshme, Procesi është me rëndësi që të jetë i qëndrueshëm dhe të ndiqet në vazhdimësi për konsultimin e çështjeve kryesore sa i përket Kapitullit 24. Ai theksoi që përfshirja e ekspertizës sllovake dhe europiane në temat për migracionin është me vlerë, pasi kjo mbetet një çështje që i kalon gjithnjë kufijtë e një vendi të vetëm dhe duhet parë dhe vlerësuar gjithnjë në një nivel më të gjerë, rajonal apo europian.
Silvana Banushi, Drejtore e Përgjithshme e Zhvillimit për Migracionin dhe Azilin në Ministrinë e Brendshme, prezantoi më hollësisht Strategjinë e re Kombëtare të Migracionit për periudhën 2024-2030, duke nënvizuar që kjo Strategji është orientuar dhe ka marrë në konsideratë dhe objektivat dhe prioritetet që janë përcaktuar dhe në dokumentet e tjera strategjike, si Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, por dhe mbi raportet e rekomandime e nxjerra nga BE në kuadër të integrimit europian si Raporti vjetor i Komisionit Europian, Raporti mbi mekanizmin e pezullimit të liberalizimit të vizave, Plani i Veprimit të BE për Ballkanin Perëndimor e të tjera. Prioritetet e Strategjisë për menaxhimin emigracionit lidhen me parandalimin e emigracionit të parregullt dhe frenimin e atij që cilësohet si azil-kërkimi abuziv. Prioritet mbetet dhe kthimi dhe riintegrimi i qëndrueshëm i qytetarëve shqiptarë si dhe menaxhimi efektiv i flukseve migratore, ku prioritet është mbrojtja e grupeve vulnerabël. Në lidhje me procesin e azilit në Shqipëri synohet që ai të funksionojë në mënyrë sa më efektive. Strategjia ka katër Objektiva Politikë, ku për secilin objektiv janë parashikuar masa konkrete veprimi dhe këto objektiva synojnë menaxhimin e migracionit, lidhjen e migracionit me punësimin dhe ndikimi pozitiv socio-ekonomik,promovimi i migracionit të rregullt dhe integrimi i të huajve në Shqipëri, si dhe garantimi i të drejtave për azilkërkuesit dhe refugjatët. Sipas Banushit, Strategjia do të monitorohet në vazhdimësi në mënyrë periodike ku për këtë është ngritur dhe një mekanizëm ndërinstitucional për koordinimin dhe monitorimin, i cili përbëhet nga: Komiteti Teknik për Migracionin që drejtohet nga Zëvendësministri i Brendshëm dhe përbëhet nga drejtues të departamenteve/drejtorive, Grupi Drejtues për Migracionin si një organ konsultativ për të vlerësuar progresin e përgjithshëm dhe Sekretariati Teknik për Migracionin që është Sektori i Migracionit në Drejtorinë e Migracionit dhe Antitrafikut në Ministrinë e Brendshme.
Saimir Boshnjaku, Drejtor i Policisë së Kufirit dhe Migracionit bëri një pasqyrë të legjislacionit shqiptar mbi migracionin e parregullt duke përmendur dy ligjet me rëndësi Ligji për Azilin dhe Ligji për të Huajt. Kur flasim për migrantët e parregullt, ai sqaroi që aty përfshihen dy kategori – kategoria e shtetasve të huaj që vijnë në Shqipëri dhe ajo e shtetasve shqiptarë që hyjnë apo qëndrojnë në mënyrë të parregullt në një vend tjetër. Sa i përket shtetasve shqiptarë me qëndrim të parregullt në Bashkimin Europian Shipëria ka një marrëveshje ripranimi me BE-në dhe këta shtetas kthehen dhe riatdhesohen në Shqipëri. Për Boshnjakun, sfidues ka qenë dhe menaxhimi i parregullt i shtetasve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar (duke kaluar kryesisht nga Franca dhe duke shfrytëzuar faktin e liberalizimit të vizave me BE). Sipas tij ka rreth 12 mijë shtetas të parregullt shqiptarë në MB, pr duhet theksuar që ka një bashkëpunim të policisë shqiptarë me ato franceze dhe britanike për identifikimin e tyre. Sa i përket shtetasve të huaj të parregullt në Shqipëri, pozitiv është fakti që ka pasur një ulje të numrit të tyre që kalojnë vendin tonë në vitet e fundit, kjo dhe si pasojë e rritjes së bashkëpunimit me policisë dhe strukturat e vendeve fqinje si Greqia, Mali i Zi dhe Kosova ku janë nënshkruar dhe marrëveshje. Në lidhje me trajtimin e të huajve të parregullt problematikë është situata që ata shpesh janë të kërcënuar nga grupet e organizuara që realizojnë kontrabandën. Të huajt e parregullt dërgohen në qendrën e mbyllur në Karrec, ndërkohë që janë ngritur dhe qendra tranzitore në Kapshticë e Gjirokastër, duke qenë kufiri me Greqinë përdoret shpesh për kalim drejt Shqipërisë. Trajtimi paraqet sfida duke pasur parasysh që dhe kategoritë e migrantëve të parregullt janë të ndryshme duke u ndarë në katër të tilla (azilkërkues, viktima, të mitur të pashoqëruar dhe migrantë të parregullt), dhe për shkak të eksperiencave dhe vendit nga vijnë një pjesë kanë nevojë dhe për trajtim psiko-social. Marrëveshja me Frontex synon mbështetjen e punës së Policisë Kufitare, duke theksuar që menaxhimi dhe koordinimi mbeten detyrim i shtetit shqiptar por Frontex mbështet këtë proces dhe operacionet e ndërmarra. Ky bashkëpunim ka sjellë rezultate pozitive, ku me kufirin grek dhe bashkëpunimin është realizuar ulja e kalimeve të parregullta deri në 90%.
Jana Jurickova, Zv. Drejtore e Byrosë së Policisë Kufitare dhe të Jashtme të Presidiumit të Policisë së Sllovakisë prezantoi sfidat e migracionit të parregullt në Sllovaki, duke u ndalur në strukturën organizative të vendit si dhe rolin që ka Frontex dhe sfidat që kanë hasur vendet e BE-së në vitet e fundit dhe si janë menaxhuar ato. Ajo sqaroi se si Zyra e Policisë së Kufirit funksionon në Sllovaki. E themeluar në 2000, ajo është një autoritet pan-sllovak me qëllimin kryesor kontrollin dhe menaxhimin e kufirit. Brenda strukturës së saj organizative ka tre nivele menaxhimi – niveli qendror, rajonal dhe ai lokal. Gjithashtu janë krijuar dhe njësi që menaxhojnë çështje dhe veprime që lidhen me kontrollin e kufirit, luftën kundër migracionit të parregullt, kontrabandimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, duke përfshirë dhe menaxhimin e riskut dhe bashkëpunimin me Frontex dhe Europol. Objektivi kryesor i kësaj strukture është të sigurojë një qasje unike për kontrollin e kufirit, si dhe një sistem të unifikuar për planifikimin dhe përgatitjen e nevojshme, kombinuar me shkëmbimin e shpejtë të informacionit në të gjitha nivelet e menaxhimit për të siguruar Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Ajo theksoi ndër të tjera që sfida dhe situata të ndryshme të paparashikuara si pandemia e Covid-19 apo lufta në Ukrainë, e bëjnë sfiduese në shumë raste menaxhimin e migrantëve si në lidhje me kontrollin e kufirit, ashtu dhe në ofrimin e shërbimeve dhe trajtimit të duhur të tyre. Jurickova nënvizoi që në kuadër të luftës në Ukrainë, për të garantuar sigurinë dhe për të menaxhuar fluksin e migrantëve, vendi rriti numrin e personelit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, ku ndihmë erdhi dhe nga Forcat e Armatosura Sllovake dhe nga Frontex por dhe nga bashkëpunimi me policinë çeke, që ofruan dhe asistencë teknike gjithashtu. Sa i përket bashkëpunimit me Frontex, në Sllovaki ka një pikë kombëtare kontakti dhe janë llogaritur që rreth 171 oficerë të kategorisë së 3 dhe 12 oficerë të kategorisë së dytë janë vendosur në Sllovaki. Ata i përkasin profileve të punës që lidhen me monitorimin dhe kontrollin e kufirit, specialist për dokumentacionin, për krimin ndërkufitar, specialist për regjistrimin e migrantëve, specialist për shoqërimin e të kthyerve etj. Ndërkohë që janë 57 roje të kufirit të Frontex në kufirin mes Sllovakisë dhe Ukrainës.
Prezantimi i panelistëve u ndoq nga një sesion komentesh dhe sugjerimesh nga pjesëmarrësit në takim, ku u diskutua më shumë mbi zbatimin dhe monitorimin e Strategjisë, arritjet e deritanishme dhe roli që ka bashkëpunimi me agjencitë europiane dhe integrimi europian në realizimin e masave të planifikuara.