Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Sllovake në Shqipëri, dhe pjesëmarrjen e zv. Ambasadorit të Sllovak, z. Milan Selecký, në kuadër të Konventës për Integrimin Europian, zhvilloi më datë 30 mars 2017, një vizitë studimore ndjekur nga një forum diskutimi me fokus “Mbrojtja e Mjedisit: Respektimi i standardeve ndërkombëtare dhe menaxhimi i mbetjeve dhe ujërave”.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Durrës, ku pjesëmarrësit dhe ekspertët u pritën nga drejtori i këtij impianti, z. Olsi Graceni dhe së bashku realizuan forumin diskutues dhe vizitën në impiant.
Gjatë fjalës së tij hyrëse, z. Gledis Gjipali falenderoi mbështetësit e këtij aktiviteti si Ambasadën Sllovake, ashtu dhe institucionin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre për realizimin me sukses të kësaj nisme. Ai nga ana tjetër theksoi që ky aktivitet po zhvillohet në kuadër të Konventës për Integrimin Europian, më specifikisht për një nga kapitujt e procesit të negocimit BE-Shqipëri, Kapitulli 27 (Mjedisi). Z. Gjipali theksoi rëndësinë e kësaj fushe për jetën dhe aktivitetin e përditshëm për çdo person dhe sa e nevojshme është që Shqipëria të respektojë standardet mjedisore, të ndotjes dhe mbrojtjes së mjedisit duke përmirësuar dhe zbatuar legjislacionin, duke rritur kapacitetet dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e mjedisit dhe respektimin e tij. Ai theksoi që qëllimi i këtyre aktiviteteve nuk është thjesht informimi teorik i të rinjve, por pikë së pari përfshirje dhe angazhimi i tyre me anë të diskutimeve, pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe forume.
Z. Olsi Graceni, drejtor i Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura, në Durrës bëri një prezantim të shkurtër të Impiantit, funksioneve të tij dhe risisë që solli. Impianti një projekt finalizuar në 2013 me mbështetjen e Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian me rreth 70 ha, është nga impiantet më moderne në Shqipëri, që ka standardet më të larta në procesin e trajtimit të ujërave dhe riciklimit të tyre. Z. Graceni shpjegoi me imtësi të gjithë procesin, duke filluar nga marrja dhe ndarja e ujit nga llumi, trajtimit, pastrimit, analizave si dhe përdorimit të ujit të ndotur në ujë që mund të përdoret si për konsumim të brendshëm brenda impiantit dhe makinerive aty, ashtu edhe për vaditje në bujqësi.
Z. Klodian Aliu, ekspert mjedisor me anë të diskutimit me studentët dhe të rinjtë paraqiti disa fakte interesante në lidhje me situatën e mjedisit në Shqipëri, duke u fokusuar në procesin e trajtimit të mbetjeve. Sipas tij është i nevojshëm një përmirësim dhe përditësim i legjislacionit shqiptar në lidhje me trajtimin e mbetjeve, ku sot mbeten si teknika akoma shumë të përdorura hedhja dhe varrosja e mbeturinave, ashtu edhe djegia e tyre. Sipas tij, ka më shumë se 1 500 hotspote në të gjithë vendin, ku njerëzit hedhin dhe grumbullojnë mbetjet. Një ligj me rëndësi sipas z. Aliu është ai i miratuar në 2011 për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, por sipas tij mbeten disa problematika kur vjen puna te zbatimi i plotë i këtij ligji. Ka disa lloje mbetjesh që në Shqipëri nuk mund të përpunohen dot si janë p.sh. Mbetjet Industriale, të cilat Shqipëria i eksporton në Itali apo Rumani. Disa pika të sugjeruara nga z. Aliu për tu ndjekur nga shtetit shqiptar përfshijnë: 1) Të zvogëlohet prodhimi i mbetjeve sa më shumë jetë i mundur; 2) zhvillim dhe intensifikim i riciklimit; 3) përdorimi i mbetjeve për të prodhuar energji; 4) heqja dorë nga landfillet / groposja e tyre.
Av. Holta Ymeri, eksperte e Grupit të Punës IV prezantoi Konventën e Aarhusit dhe tre të drejtat themelore që rrjedhin nga kjo Konventë, si dhe sqaroi si ajo zbatohet në kontekstin shqiptar. Tre të drejtat që Konventa e Aarhus përfshijnë janë: 1) Aksesi për informacion mjedisor 2) Pjesëmarrje në vendimmarrje dhe 3) Pjesëmarrje në gjykatë. Për znj. Ymeri, Shqipëria është një nga vendet që e ka ratifikuar këtë Konventë, duke nënkuptuar që legjislacioni shqiptar dhe autoritetet shqiptare duhet ta respektojnë dhe ta zbatojnë atë. Ajo përmendi disa nga ligjet që mundësojnë respektimin e këtyre tre të drejtave në Shqipëri si dhe e konkretizoi atë më një çështje të vërtetë të ndodhur në vendin tonë.
Pas diskutimit nën shoqërimin e z. Graceni dhe specialistëve të tjerë, pjesëmarrësit vizituan ambientet e Impiantit ku u njohën më nga afër dhe konkretisht me procedurën dhe rendin e punës aty. Takimi me kimistë në laboratorin e analizave i sqaroi ata më shumë rreth procesit të analizave dhe vlerësimit të elementeve kimikë të gjendur në ujë.