728 x 90

Konventa Rajonale paraqitet si një platformë e krijuar bashkërisht nga organizatat joqeveritare nga Ballkani Perëndimor për të kontribuar në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, me fokus në çështjet kyçe që duhet të trajtohen, përfshirë shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe mirëqeverisjen. Platforma gjithashtu kontribuon në forcimin e kapaciteteve të sektorit të shoqërisë civile dhe institucionalizimin e dialogut me institucionet publike, si dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit midis tyre. Në këtë kuadër, Konventa Rajonale është zhvilluar prej vitesh përmes disa projekteve, donatorëve të ndryshëm dhe tematikave në zhvillim. Lëvizja Evropiane në Shqipëri ka zbatuar deri më tani dy projekte si partnere, për të gjallëruar dialogun dhe për të ndarë praktikat më të mira dhe përvojat në procesin e integrimit europian, duke sjellë ekspertizë të brendshme dhe të jashtme

Së pari, Konventa Rajonale për Integrimin Europian (2014–2015), e zbatuar nga Lëvizja Europiane në Mal të Zi, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri dhe Lëvizjen Europiane në Serbi, e mbështetur financiarisht nga German Stability Pact dhe International Visegrad Fund, ishte platforma nismëtare e organizatave joqeveritare nga Ballkani Perëndimor dhe Visegrad Group, me synimin e përgjithshëm për të kontribuar në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit së vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian. Theksi i veçantë iu dha forcimit të kapaciteteve të sektorit shtetëror dhe atij civil që merren me procesin e integrimit në BE, si dhe rritjes së kapaciteteve për përthithjen e fondeve IPA në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Aktualisht, nisma “Drejtësia le të Sundojë Rajonin”, e zbatuar në kuadër të programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, gjatë periudhës 2022–2025, ka vijuar këtë vizion duke krijuar një rrjet rajonal të organizatave të shoqërisë civile që promovojnë vlerat europiane nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, përkatësisht Lëvizja Europiane në Shqipëri, Lëvizja Europiane në Maqedoninë e Veriut dhe Konventa Kombëtare për Bashkimin Europian në Serbi. Qëllimi i saj është të rrisë nivelin e demokratizimit përmes monitorimit aktiv të tematikave që mbulohen nga Grupkapitulli 1 – Themelorët dhe ofrimit të rekomandimeve të vlefshme. Projekti është krijuar si një sinergji me kuadrin e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, e cila është një platformë për debat dhe konsultim pjesëmarrës, tashmë e zbatuar në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi nga organizatat e sipërpërmendura të shoqërisë civile në këto vende.

Artikuj
Raporte
Materiale Informative
Dokumente Strategjike te BE-së
E-Learning