Sfidat e Migrimit dhe Azilit në Shqipëri

wg II siguria liria drejtesia

Lëvizja Europiane në Shqipëri në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Integrimit Europian organizoi më datë 11 prill 2016 sesionin e dytë dhe të tretëtë Grupit të Punës II me temë “Sfidat e Migrimit dhe Azilit në Shqipëri”.

Jan Rudolph, Drejtor i Sektorit Politik, Ekonomik dhe Informativ në Delegacionin e BE-së në Shqipëri,gjatë fjalës së tij i dha rëndësi bashkëpunimit të nevojshëm mes shtetit dhe organizatave të shoqërisë civile për përballimin e krizës së refugjatëve dhe emigrantëve. “Situata mbetet problematike”,- theksoi ai duke deklaruar se vetëm në 3 muajt e parë të 2016-ës kanë humbur jetën mbi 700 persona që po vinin drejt BE-së. Gjithashtu, ai analizoi se mundësitë që Shqipëria të kthehet në një vend tranzitor apo pritës janë të pakta, por përsëri strukturat e shtetit duhet të jenë të përgatitura në bashkëpunim me institucionet europiane që po monitorojnë situatën. Z. Rudolph dha një tablo të qartë të politikave të deritanishme të ndërmarra nga Bashkimi Europian, si Axhenda Europiane mbi Migrimin, e bazuar në katër shtylla kryesore: 1. Ulja e prirjeve për migrim të paligjshëm, 2. Shpëtimi i jetës dhe sigurimi i kufijve, 3. Forcimi i politikave të përbashkëta të azilit dhe 4. Zhvillimi i një politike të re mbi migrimin e ligjshëm. Si përfundim z. Rudolph përmendi dhe planin e BE-së për të rishpërndarë 160 mijë refugjatë, si dhe marrëveshjen Turqi-BE që synon të ndalojë emigracionin e paligjshëm nga Turqia. Ai theksoi se e gjithë politika mbi migrimin lidhet me kapitujt 23-24 të procesit të negociimit me vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe Shqipërinë. Reformat në kuadër të këtyre kapitujve që hapen të parat dhe mbyllen të fundit, janë të pazëvendësueshme dhe nuk mund të shtyhen. Një shembull tipik është edhe Reforma në Drejtësi. Si përfundim ai kërkoi një angazhim më të thellë të shtetit shqiptar dhe autoriteteve përkatëse për uljen e migracionit të parregullt të qytetarëve të saj drejt vendeve të BE-së si një mënyrë për të respektuar plotësisht kushtet që vijnë nga liberalizimi i vizave.

Në fjalën e tij z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëriprezantoi për pjesëmarrësit misionin e mekanizmit të ngritur prej një viti të Konventës për Integrimin Europian. I kushtoi vëmendje të aktiviteteve që janë ndërmarrë, rezultatet e arrituara dhe pritshmëritë për aktivitetet në vijim. Sipas z. Gjipali me këtë nismë nuk synohet vetëm organizimi i tryezave të diskutimit, por pikë së pari është shtyrja përpara të gjithë procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, së bashku me të gjithë grupet e interesit. “Në vendin tonë”,- theksoi ai,“mungon kultura e bashkëpunimit kështu që përpjekjet e EMA-s janë që të vendosen praktika pozitive bashkëpunimi dhe një dialogim i vazhdueshëm. Nëse ka pjesëmarrje të gjerë nga të gjithë grupet dhe aktorët e përshirëatëherë  do të ketë edhe një hapje të shpejtë të negociatave për shqiptarët dhe Shqipërinë. Në vazhdimësi të fjalës së z. Jan Rudolph, Drejtori Ekzekutiv i EMA-s pranoi që Reforma në Drejtësi është një reformë tërësore që i prek të gjithë, jo vetëm gjatë por edhe pas këtij reformimi dhe që ndikon drejtpërdrejtë në procesin e anëtarësimit në BE. Konventa ka një fokus specifik me krijimin e grupeve të punës për kapitujt 23 dhe 24, ku gjatë punimeve do të nxirren rekomandime të përbashkëta dhe me shumë rëndësi praktike,si për aktorët politik, teknik ashtu edhe opinionin e gjerë publik.

Znj. Alma Mele, Drejtore e Azilit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pasqyroi legjislacionin aktual shqiptar në lidhje me migrimin dhe azilin. Sipas sajShqipëria ka një kuadër ligjor të plotë dhe të përditësuar, siçështë edhe Ligji për Azilin që është miratuar  në tetor të viti 2014 në mbështetje të Direktivave të BE-së. Ai plotësohet edhe nga Vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Akteve të tjera ligjore, si VKM-ja 346 mbi letërnjoftimin biometrik për të gjithë ata persona që kanë arritur statusin e refugjatit. Nga ana tjetër VKM-ja 513 mbi përcaktimin e kritereve, rregullave dhe procedurave për të huajt në Shqipëri apo edhe VKM-ja mbi listën e vendeve të treta të sigurta janë pjesë e legjislacionit shqiptar në përputhje me acquis e BE-në dhe që e plotësojnë tablon për të gjithëçështjen. Znj. Mele e vlerësoi si pozitive marrjen e vendimit për krijimin e Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, i cili do të jetë instanca e parë administrative mbi këtë çështje në Shqipëri. Drejtorja e Azilit shprehu se numri i aplikimeve për azil në 2016 është ulur në krahasim me periudhën 2013-2015 që pati një rritje mjaft të lartë. Në 2014 kishte rreth 106 azilkërkues në Shqipëri, ndërsa deri më tani për këtë vit ka pasur vetëm 5 kërkesa për azil në vendin tonë. Vendet më të shpeshta të origjinës janë Irani, Iraku, Siria, Ukraina dhe Eritrea. Çdo azilkërkues sipas ligjit ka në dispozicion një përkthyes dhe asistencë ligjore falas, i sigurohet akomodim të pajisur me  kushtet bazike të jetesës dhe higjienës. Si përfundim, ajo theksoi që Ministria e Brendshme si edhe autoritetet e tjera kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim të gjerë me organizata ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile si UNHCR, Kryqi i Kuq apo RMSA.

Znj. Alexandra Malangone, përfaqësuese e organizatës sllovakeLidhja e të Drejtave të Njeriut nënvizoi që ashtu si në rastin shqiptar, dhe në Sllovaki numri i azilkërkuesve është ulur për vitin 2016(me vetëm 10 kërkesa për azil në 3 mujorin e parë), në krahasim me 2015 që ka pasur  313 kërkesa. Sllovakia është prekur nga fenomeni që po karakterizon vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, i cili njihet si ‘deficit dhembshurie”. Sllovakia ka pranuar një numër të vogël refugjatësh, kuotë e cila ështërreth 20% më poshtë se kriteri i pranimit i vendosur nga BE. Shteti sllovak vuri kriterin që të ripranonte 200 refugjatë me kushtin që ata të ishin të besimit të krishterë, por më vonë u tërhoq nga ky vendim. Deri më tani janë pranuar 500 refugjatë nga një kamp i tejmbushur në Austri dhe në bashkëpunim me kishën janë vendosur edhe 149 irakianë të krishterë nga territoret e pushtuara nga ISIS. Znj. Malangone sugjeroi që Shqipëria si një shtet që nuk ka kapacitetet e duhura për të pranuar refugjatët dhe për t’i mbajtur ata, mund të luajë rolin e një vendi tranzitor që i strehon dhe i trajnon refugjatët për një kohë të caktuar deri në momentin që ata zhvendosen në destinacionin e tyre final. Ne bashkëpunim me IOM, UNHCR Sllovakia ka mbajtur refugjatë të cilët mund të kenë aplikuar për në SHBA , duke i trajnuar ata, duke u bërë kurse për 6 muaj dhe i ka dërguar në vendet ku ata kanë aplikuar. Në rast se një prej vendeve të BE-së ka një fluks të madh të emigrantëve, të gjithë vendet e tjera duhet të ndihmojnë ose të japin kontributin e tyre ndaj këtij vendi. Është mirë që vendet që janë në kufirin e jashtëm të BE-së të bashkëpunonin më shumë me vendet e tjera për këta refugjatë. Për shumicën e vendeve të BE-së deportimi do të ishte një prej pikave më të pëlqyeshme, për shkak se emigrimi i pa ligjshëm është një aspekt tjetër.Një pikë tjetër e rëndësishme për pranimin e këtyre refugjateve është se duhen hapur “kanale” të sigurta ligjore kur të vendosen në vendet e BE-së.

 Për z. Hortenc Balla, nga Zyra e Mbrojtjes Ligjore, UNHCR është mjaft me rëndësi “parimi i moskthimit”, gjatë procesit që nënkupton që refugjatët dhe migrantët e paligjshëm të mos kthehen në territoret ku mund t’u cenohet jeta, dinjiteti apo integriteti. Ai thekoi se në këtë parim përfshihen edhe ato vende që nuk janë drejtpërdrejtë vendi i tyre i origjinës, por që përsëri mund t’i  kthejnë mbrapsht  refugjatët apo t’i keqtrajtojnë. “Pavarësisht se refugjatët e shohin vendin tonë Shqipërinë si vend tranzit, shumica e tyre ëndërrojnë Gjermaninë”-u shpreh z. Balla,- “Duke parë këtë reagim, institucionet përkatëse duhet t’u bëjnë të qartë se është e pamundur të udhëtohet nga vendi ynë drejt Gjermanisë. Shqipëria ka bërë progres në implementimin e një legjislacioni dhe përditësimit të tij me nevojat e kohës, por problem për të, mbetet fakti që bashkëpunimi me shoqëritë civile është i vakët duke përmendur që gjatë miratimit të projektligjeve si ai për Komisionin Kombëtar për Azilin dhe vendimi për përcaktimin e vendeve të treta të sigurta nuk është marrë në konsideratë mendimi dhe komentet e shoqërisë civile dhe organizatave siç është edhe UNHCR.  Z. Balla foli me prioritet e më specifikisht për statusin e refugjatit, njohjen e të drejtave dhe sigurimin  e dokumentacioneve të nevojshme nga institucionet shtetërore. Si aktor të rëndësishëm në këtë proces, përmendi Policinë Kufitare, për përgjegjësinë në parandalimin e emigracionit të parregullt.

Znj. Enkeleda Toska, përfaqësuese e Drejtorisë së Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionithapi fjalën e saj duke nënvizuar ndryshimet e politikave migratore europiane- nga politika me dyer të hapura në mbyllje të rrugëve- të cilat patën ndikim edhe në Shqipëri. Ajo gjithashtu sqaroi qëekzistojnë grupe mikse të migracionit, si ata persona që kanë nevojë për mbrojtje, janë edhe ai grup që kërkon azil për vështirësi ekonomike. Sipas saj hapja ose mbyllja e rrugës së Ballkanit dhe ndryshimi i politikës së BE-së nga ajo me dyer të hapura ndikon drejtpërdrejt në numrin në rritje të refugjatëve që janë drejtuar nga Shqipëria.Shqipëria ofron mundësi strehimi në dy qendra pranimi siç është Qendra Kombëtare e Azilkërkimit në Babrru dhe Qendra e Mbyllur në Karreç, e znj. Toska la të kuptohet që duhet një përgatitje për përgjigje emergjente nëse numri rritet. Në 2016 janë rreth 287 refugjatë që i janë afruar kufirit shqiptar nga Greqia si dhe janë arrestuar 147 emigrantë të huaj, si: maroken, sirian, somalez, irakian duke kaluar kufirin e gjelbër.Masat e Policisë së Shtetit orientohen në rritjen e shkëmbimit të informacionit në kuadrin teknik dhe strategjik, ku ky shkëmbim është më i thelluar edhe me Frontex dhe me vende kufitare si Maqedonia dhe Greqia. Me rëndësi për znj. Toska është që Shqipëria nuk është përcaktuar ligjërisht si një vend tranzit, por kjo nuk nënkupton që nuk duhet të ndërmerren masa për situatën në të ardhmen. Arritje pozitive u vlerësua edhe rritja e bashkëpunimit me OSHC si UNHCR për planifikimin e pritjes, pranimit apo regjistrimit të refugjatëve. Gjithashtu, risi që vlen për tu përmendur është futja e gjuhëve si Arabe, Persiane dhe Pashtu në formularin e regjistrimit dhe gjatë intervistimit të refugjatit. Numri unik i kartës së lejes së qëndrimit dhe përgatitja e një lejeje biometrike qëndrimi është një tjetër masë që po ndërmerret nga autoritetet shqiptare. Pritet edhe një set amendimesh të Ligjit për të Huajt për ta afruar atë sa më shumë me legjislacionin europian dhe më kërkesat e situatës.

 

Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, znj. Erida Skëndaj gjatë prezantimin të saj iu referua rasteve të largimit të shqiptarëve dhe kërkesave të tyre për azil, duke vënë theksin në evidentimin e shkeljeve të të drejtave të tyre e diskriminimit.  Për të menaxhuar më mirë situatën e migrimit të paligjshëm dhe kërkim-azilit është kryesore të kuptosh arsyet dhe shkaqet pse qytetarët shqiptarë vendosin të ikin nga Shqipëria dhe kërkojnë azil në vende të tjera. Një arsye kryesore janë vështirësitë ekonomike, edhe pse në këto raste pjesa më e madhe e tyre kthehen mbrapsht pasi kërkesa për azil nuk pranohet. Për znj. Skëndaj, gjithsesi ka raste të tjera kur kërkesa për azil pranohet siç janë rastet e diskriminimit, paragjykimit apo persekutimit që u bëhet komuniteteve dhe minoriteteve si romët apo egjiptianët në Shqipëri, por edhe komunitetit LGBT. Gjakmarrja është një  tjetër faktor që mund të pranohet nga vendet e BE-së si një arsye për të pranuar azilin. Për znj. Skëndaj është e vërtete që Shqipëria është vendi i dytë me numrin më të madh të azilkërkuesve, por nga ana tjetër ajo mbetet e para me numrin më të madh të kërkesave që janë pranuar. Drejtoresha e KSHH sugjeroi nevojën  e një lobimi më të mirë nga ana e organizatave të shoqërisë civile, për një rrjet më efektiv bashkëveprues dhe bashkëpunimi. Komiteti Shqiptar i Helsinkit po realizon dhe nismën e Klinikës Ligjore në sajë të së cilës u  ofrohen shërbime ligjore falas shtetasve shqiptarë në nevojë, por problematikë mbetet mungesa e studimeve dhe të dhënave në lidhje me situatën e azilkërkimit dhe migracionit në Shqipëri.

Sesionet e diskutimit u moderuan nga Znj. Mona Xhexhaj, Koordinatorja e Projektit të Konventës për Integrimin Europian. Takimi u shoqërua me ndërhyrje, komente e pyetje nga pjesëmarrësit.