Rreth Konventës

Konventa Kombëtare e Integrimit Europian

Duke e kuptuar Integrimin në BE jo thjesht si një axhendë institucionale, por si një projekt ambicioz zhvillimi i nxitur vazhdimisht nga shoqëria, Lëvizja Europiane në Shqipëri përkushtohet intensivisht për promovimin e vlerave europiane dhe rritjes së ndërgjegjësimit të opinionit publik për ndikimin dhe përfitimet që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Një ndër projektet e ndërmarra është “Konventa Kombëtare për Integrimin Europian të Shqipërisë”, implementimi i së cilës përfshin periudhën 2014-2016, në partneritet me Slovak Foreign Policy Association.

Kjo iniciativë ka si qëllim të përgjithshëm rritjen e pjesëmarrjes të të gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare në formulimin e politikave kombëtare. Vëmendje e veçantë i kushtohet përpjekjes për integrimin europian të vendit, si dhe promovimin e bashkëpunimit të sektorit shtetëror me shoqërinë civile, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive që mundësojnë plotësimin e kritereve për integrimin në BE.

Konventa Kombëtare për Integrimin Europian një model unik, i cili është aplikuar dhe zhvilluar me sukses nga Slovak Foreign Policy Association gjatë vitit 2003-2007. Bazuar në modelin sllovak, projekti është implementuar në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Ukrainë dhe Moldavi. Në të 5 shtetet, faza fillestare e projektit është financuar në sajë të Slovak Aid.

Qëllimet e Konventës Kombëtare të Integrimit Europian

  • Të institucionalizojë debatin publik lidhur me çështjet e Bashkimit Europian, bazuar në partneritetin mes qeverisë, shoqërisë civile si dhe organizatave të biznesit.
  • Të forcojë aftësitë e ekspertëve në negociatat lidhur me Integrimin Europian;
  • Të angazhojë publikun e gjerë në hartimin e politikave kombëtare për çështjet lidhur me Integrimin Europian, në sajë të krijimit të komuniteteve sektoriale të BE-së në bazë të modelit të Grupeve të Punës të Konventës Kombëtare të Integrimit;
  • Të krijojë një kanal të përhershëm dhe interaktiv informimi për të gjitha segmentet e shoqërisë;
  • Të transferojë eksperiencën sllovake në fushën e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe dialogut të përhershëm profesional.

Ndikimet e Projektit

  • Krijimi i një forumi debati të qëndrueshëm, koherent dhe i strukturuar tematikisht, i fokusuar në marrëdhëniet mes BE-së dhe Shtetit;
  • Mbështetja e përpunimit të pozicionimit kombëtar dhe krijimin e konsensusit kombëtar në çështje specifike (përgatitje ndaj procesit të negociatave);
  • Forcimi i kapaciteteve të qeverisë dhe OJQ-ve lidhur me procesin e integrimit europian;
  • Strukturimi i informacionit për BE-në, bazuar në interesat sektorale të segmenteve kyç të shoqërisë (përmirësimi i njohurive të përgjithshme dhe profesionale);
  • Përmirësimi i gatishmërisë së shtetit për integrim në strukturat ndërkombëtare.

Rezultatet e Projektit

  • Rekomandime politikash nga Seancat Plenare;
  • Rekomandime politikash nga Sesionet e Grupeve të Punës;
  • Rezultatet e hulumtimit të Grupeve të Punës (ekspertët e brendshëm të Grupeve të Punës)
  • Njoftime për shtyp dhe konferenca për shtyp (pas çdo sesioni të Grupeve të Punës dhe pas çdo seance plenare);
  • Faqe online specifikisht për Konventën Kombëtare të Integrimit;
  • Publikime (rekomandime politikash: Seancat Plenare, mbledhjet e grupeve të Punës dhe rezultate nga kërkimet e ekspertëve të brendshëm);
  • Krijimi i rrjetit të think-tank-eve në bashkëpunim me segmente të tjera të shoqërisë (qeverinë, sipërmarrësit, pushtetin lokal, etj), për çështjet e rendit të ditës të integrimit në BE.