Ndihma Ligjore Falas dhe Informimi Ligjor i Publikut

photo

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association (SFPA), me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë organizuan më datë 17 maj 2016 Sesionin e 3 dhe 4 të Grupit të Punës I me temë: “Ndihma Ligjore Falas dhe Informimi Ligjor i Publikut”.

 

Gjatë takimit që u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë me praninë e ministrit Ylli Manjani, u diskutua mes përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile mbi shërbimin ligjor falas në Shqipëri, dhe problematikat  e shfaqura në këtë sektor. Me rëndësi ishte edhe debati mbi informimin dhe edukimin ligjor të publikut si një hallkë me rëndësi në procesin e ofrimit të shërbimit ligjor për qytetarët.

 Z. Ylli Manjani, Ministër i Drejtësisë u shpreh se reformimi i sektorit të drejtësisë është një çështje që prek dimensionin kushtetues. Shërbimit të Ndihmës Ligjore i mungon një element i rëndësishëm si ai financiar, i cili nuk e mbulon dot procesin. Nevojitet një ri-konceptim i sistemit që nënkupton në radhë të parë që Ndihma Ligjore do të ofrohet jo vetëm në sallat e gjyqit porgjatë gjithë kohës,duke përfshirë edhe ndihmën paragjyqësore. Për shërbimin paragjyqësor është marrë dhe vendimi nga Ministria për çeljen e tij pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas z. Manjani një nga problematikat kryesore të shërbimit ligjor falas lidhet me buxhetin dhe financimin e këtij sektori nga ana e shtetit shqiptar. Sipas tij justifikimet dhe ankesat për mungesën e fondeve janë të shumta dhe të shpeshta dhe për këtë duhet të merren masa për të siguruar shërbimin falas për të gjithë qytetarët. Vetë sistemi gjyqësor duhet të gjenerojë të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar kostot dhe tarifat e shërbimit ligjor falas. Për ministrin e drejtësisë në Shqipëri si prioritare është rritje e besueshmërisë që qytetarëve për punën e gjykatave e rol të rëndësishëm luan edhe shoqëria civile ku me angazhimin, kontributin dhe eksperiencën e saj mund të ndihmojë shumë në progresin e këtij procesi si dhe eksplorimin e disa alternativave.

Znj. Vjollca Meçaj, bashkëkryetare në panel si dhe Presidente e Bordit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit argumentoi si arsye kryesore për nevojshmërinë e shërbimit ligjor falas nivelin e lartë të varfërisë së qytetarëve shqiptarë që arrin në mbi më shumë se 30% e popullsisë. Edhe pse shërbimi ligjor falas mbetet një detyrë primare e shtetit dhe sistemit të Drejtësisë, znj. Meçaj u shpreh se ky shërbim ofrohet disa herë më shumë nga shoqëritë civile se sa nga ato shtetërore. Duke u bazuar në këtë, shtoi që nuk bie dakord në disa pika të Draftit të Ndihmës Ligjore të Euralius, ku përjashtohet roli i organizatave të shoqërisë civile në kuadër të ofrimit të ndihmës ligjore falas. Ai mbetet një shërbim i një natyre të veçantë dhe të privilegjuar që as nuk mund të privatizohet si dhe shteti as nuk mund te heqë dorë prej tij. Drejtësia jo vetëm që garanton sigurinë dhe rendin por ndikon drejtpërdrejt në kontratën e shtetasve me shtetin e tyre duke shërbyer si arbitër në konfliktet mes palëve. Shërbimi ligjor dhe garantimi i tij për kategoritë e njerëzve që nuk kanë kushtet dhe mjetet e favorshme sociale është një element jetësor dhe i rëndësishëm. Znj. Meçaj ngriti nevojën e ofrimit të disa alternativave reale dhe të mundshme. Në përfundim ajo theksoi që vetëm duke siguruar shërbimin ligjor falas mund të ndërtohet  shtet i së drejtës që garanton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Gjatë fjalës së saj znj. Blegina Agolli, Kryetare e Komisionit Shtetëror të Ndihmës Ligjore vuri theksin mbi problematikat kryesore që hasen gjatë aktivitetit të përditshëm të institucionit që ajo drejton. Mungesa e një fondi të mjaftueshëm dhe eficient e vështirëson shumë punën sipas znj. Agolli, dhe kjo ndërlikohet ku faktorë numri i personave që përmbushin kriteret për asistencë rritet çdo vit dhe fluksi i kërkesave është gjithashtu në rritje. Edhe pse buxheti shihet si një pengesë gjatë punës së saj, ajo nuk la pa përmendur edhe disa hapa pozitive të ndërmarra nga KNSHJ si: 1. Heqja e burokracive dhe procedurave të stërzgjatura kur tanimë qytetari plotëson vetëm një aplikim. Gjithashtu dhe përgjigja kthehet në një periudhë kohe të shpejtë dhe të arsyeshme. 2. Individi është përjashtuar nga pagimi i taksave dhe tarifave të tjera për gjyqtarin. 3. Hapja e 6 zyrave të ndihmës ligjore pranë gjykatave të Apelit në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Një tjetër element pozitiv gjatë aktivitetin të Komisionit është edhe fakti që sipas znj. Agolli rreth 98% e rasteve të marra në shqyrtim nga KSHNJ janë fituar. Pra sipas saj problemi nuk qëndron te hapësira ligjore apo procesi, por te pamjaftueshmëria e buxhetit, ku sipas statistikave të znj. Agolli, Komisioni merr çdo vit e më pak fonde.

Eksperti Sllovak, z. Vladimir Kordos, realizoi një prezantim të eksperiencës së tij si avokat që ofron ndihmë ligjore si dhe shpjegoi më në detaje se si realizohet kjo procedurë në vendin e tij. Institucioni që ofron ndihmën ligjore në Sllovaki është Qendra për Ndihmë Ligjore me buxhet të përcaktuar nga shteti dhe që ofron shërbim falas te qytetarët që kanë nevojë sidomos për çështje dhe konflikte me karakter familjar, me probleme jashtë kufirit por edhe për çështjet e azilkërkimit. Ai listoi që nga 2011 rezultonin 1 000 raste të dhënies së ndihmës, ndërsa nl 2015- 6000 të tilla. Sipas z. Kordos në Sllovaki sipas ligjit për të përfituar ndihmë ligjore pa pagesë duhet të plotësohen disa kushte si: pamundësia apo vështirësia ekonomike; shanset për të fituar duhet të jenë të mëdha dhe aplikuesi duhet të ketë fakte që e vërtetojnë; si dhe vlera e konfliktit duhet të tejkalojë atë të pagesës minimale që të merret në konsideratë nga qendra e ndihmës ligjore në Sllovaki, shpjegoi eksperti. Si një element i rëndësishëm për ekspertin ishin dhe konsultimet  paraprake që u ofrohen individëve dhe kjo realizohet përpara se të vlerësohet nëse personi i plotëson kushtet për t’u ofruar ndihma ligjore falas.

Gjatë panelit të dytë të diskutimit me fokus kryesor Informimin dhe edukimin ligjor të publikut u realizua një debat dhe diskutim mbi arritjet nga ana e institucioneve shtetërore për të siguruar informacionin e nevojshëm ligjor për çdo individ dhe mundësitë për qasje ndaj tij dhe nga ana tjetër përfaqësues nga shoqëria civile vunë në dukje problematikat dhe mangësitë e deritanishme në këtë proces.

Znj. Ardita Buna, Drejtore e Qendrës së Publikimeve Zyrtare ofroi një tablo të qartë se si ka evoluar edhe është transformuar procesi i botimit të akteve dhe ligjeve zyrtare dhe se si është mundësuar qasja më praktike për publikun për të gjetur këto informacione. Çfarë është me rëndësi sipas znj. Buna është se në Fletoren Zyrtare nuk publikohen më vetëm ligjet, por të gjitha normat juridike duke përfshirë dekrete, akte normative të ministrave si dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Znj. Buna duke vlerësuar Fletoren Zyrtare dhe Qendrën e Botimeve Zyrtare si pikën e parë të kontaktit me qytetarin, theksoi se ka akoma nevojë për përmirësime dhe zhvillim të mëtejshëm, siçështë edhe nevoja për një sistem kërkimi online me akte të përditësuara si dhe dixhitalizimi i akteve të vjetra. Në fjalën e saj përmendi edhe Buletinin e Njoftimeve Publike si një shërbim dhe mundësi që i ofrohet publikut pa pagesë, aksesi ndaj normave juridike mbetet një element me rëndësi gjatë aktivitetit të punës së tyre.

Z. Sokol Muça, Koordinator i Nën-granteve, Save the Children Albania shprehu angazhimin e shoqërisë civile e cila sipas tij po kontribuon për një sistem drejtësie funksional dhe të hapur për të gjithë. Ai shpjegoi më shumë se si shfrytëzohen grantet e ofruara nga BE për të arritur këtë qëllim, ku sipas tij dy janë fushat kryesore të financimit me përafërsisht me 450 mijë € secila: Monitorimi i Drejtësisë dhe Aksesi në Drejtësi. Fusha e dytë mbetet prioritare sipas z. Muça. Ai sqaroi që edhe madhësia e granteve ndryshon, duke filluar nga ato të vogla (10-15 mijë € për më pak se 1 vit), grantet e mesme (20-25 mijë € për më pak se 1 vt) dhe grantet e mëdha ( 40-50 mijë € që kanë kohëzgjatje deri në 1 vit e gjysmë apo 2 vite). Ai përmendi edhe punën e Koalicionit të shoqërisë Civile për Drejtësinë ku është me rëndësi bashkëpunimi dhe sinergjia për vazhdimin e punës dhe zhvillimin e mëtejshëm, pa harruar Reformën në Drejtësi.

Z. Gerti Shella, Drejtor i Qendrës për Çështje të Informimit Publik (INFOCIP) theksoi që nga ana e kuadrit ligjor Shqipëria nuk ka probleme, madje mund të guxojmë të shprehemi se ka madje një ‘ndotje legjislative’, pasi ligjet janë të shumta, shteti shqiptar në këto 25 vite ka nënshkruar mjaft Konventa Ndërkombëtare me fokus të drejtat e individit, por problemi qëndron tek zbatimi dhe implementimi i tyre. Pavarësisht kësaj z. Shella përmendi faktin që nuk ka mundësi dhe qasje për të gjetur shumicën e këtyre ligjeve online si dhe kur i gjen ato nuk janë të azhurnuara duke shfaqur kështu një tjetër problematikë. Informimi ligjor është një nga kushtet mjaft të nevojshme për të zhvilluar dhe koordinuar shoqërinë, pasi zbatimi i një ligji fillon me njohjen e tij dhe kur kjo mundësi nuk u ofrohet qytetarëve është e vështirë që më pas t’u kërkohet që ata t’i zbatojnë ato. Për sa i përket shërbimit publik të ofrimit të ligjeve ajo duhet të jetë sa më e lehtë dhe e përshtatshme për publikun dhe jo t’ia vështirësojë punën apo akoma më keq t’i kushtojë kohë dhe mund.