Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit (të rregullt dhe të parregullt), Sesioni I, Grupi i Punës 2: Drejtësi, Liri, Siguri

konventa, sesioni 1 , wg 2

Më 28 Shkurt 2020, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association  dhe Ministrinë e Brendshme dhe me mbështetjen e SlovakAid, organizoi Sesionin e I të Grupit të Punës 2: Drejtësi, Liri, Siguri, me temë “Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit (të rregullt dhe të parregullt): Sfidat në monitorimin dhe përmbushjen e kritereve ndërkombëtare” në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2019-2021.

Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i EMA , hapi Sesionin I për Grupin e Punës 2 të Konventës. Në kuadër të Konventës janë ngritur 4 Grupe Pune të cilat do të kontribuojnë pozitivisht në sfidat në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe duke kanë nxitur bashkëpunimit e sektorit shtetëror me shoqërinë civile. Fokusi në këtë sesion është strategjia e re e migracionit dhe roli i Shqipërisë dhe BE në përballimin e sfidave.

Znj. Rovena Voda, zv. Ministre e Punëve të Brendshme e konsideroi aktivitetin një element të rëndësishëm i cili ndikon pozitivisht në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut në temën e migrimit dhe ndikimet e tij. Sipas znj. Voda, Grupi i Punës II së bashku me ekspertët, duke sjellë rekomandimet e tyre, do të përmirësojnë punën e ministrisë prandaj ata do merren për bazë, ashtu sikurse rekomandimet e vetë Bashkimit Europian që nga ana tjetër përbëjnë një detyrim jo vetëm për Ministrinë e Brendshme, por për të gjitha instancat e tjera. Zv. Ministrja vlerësoi si suksese të deritanishme miratimin e Strategjisë së re Ndërsektorale dhe Planin e ri të Veprimit për Migracionin, një publikim i cili vjen për herë të parë në këtë format dhe i cili do të strukturojë mënyrën se si do të veprohet në kushtet aktuale ku kemi një rritje të emigrimit, por dhe të azil-kërkuesve. Kjo strategji dhe plan veprimi ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi emigracionin; do të përcaktojë masat që duhet të merren për përballimin e rritjes së numrit të azilkërkuesve në Shqipëri; synon të krijojë një metodologji të re të përballimit të situatës; si dhe pritet të ndikojë pozitivisht në ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe respektimin e të drejtave të njeriut nëpërmjet politikave të reja të migracionit. Në këtë kuadër janë identifikuar katër sfera për të mundësuar një politikë gjithëpërfshirëse të qeverisjes së migracionit: 1) qeverisje strategjike të emigracionit nga institucionet shqiptare; 2) migracion i sigurt dhe i rregullt, nga, përmes dhe drejt Shqipërisë; 3) politikat e efektshme të migracionit për motive punësimi dhe ndikimi i migracionit në zhvillimin lokal; 4) integrimi i migrantëve dhe mbrojtja e të drejtave të tyre.

Znj. Petra Achbergerová, ekspertja sllovake, specialiste e Zyrës së Migracionit në Ministrinë e Brendshme të Sllovakisë bëri një qasje të situatës në Sllovaki dhe problemet e hasura me numrin në rritje të migrantëve sidomos nga Ukraina por dhe me problematikën e perceptimit që kanë qytetarët për azilkërkuesit. Sllovakia përsëri mbetet një nga shtetet e BE me numrin më të vogël të të huajve, ku vetëm 2.63% të popullsisë e përbëjnë të huajt, nga kjo 1.05% janë qytetarë të një shteti tjetër të BE-së. Gjithashtu dhe kërkesat për azil nga viti 2014 deri më sot nuk i kalojnë 300 kërkesa në vit, numër ky jo i konsiderueshëm, ku më shumë se 70% të tyre u refuzohet marrja e statusit refugjat. Strategjia e fundit e Sllovakisë u publikua për një periudhë 9 vjeçare (2011-2020), më një përditësim të saj për vitin 2020, ku shtrohet qasja që do të kenë drejt migracionit kurse plani i punës është i ndryshueshëm dhe miratohet çdo vit një i ri, në përshtatje të situatës së migracionit. Me rëndësi për eksperten sllovake është përgatitja për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së dhe ngritjes së kapaciteteve. Sipas rasti të Sllovakisë, disa masa u morën për të mundësuar një harmonizim sa më efektiv të legjislacionit. Së pari u realizua një proces gradual i harmonizimit; u mor asistencë dhe ekspertizë nga shtetet e tjera të BE nëpërmjet programeve Tëëëinning; iu kushtua rëndësi ndryshimeve dhe përditësimeve të legjislacionit të BE me fokus dhe vendimet e Gjykatës Europiane të Drejtësisë si dhe nuk u morën në konsideratë edhe specifikat e vetë vendit: historia; kapacitetet; përgatitja dhe struktura për të mundësuar një përshtatje sa më të mirë të legjislacionit europian me atë sllovak. Znj. Achbergerova vuri theksin dhe te fushatat e komunikimit dhe informimit të publikut mbi çështjet që lidhen me migracionin, të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve, informacion mbi lëvizjen e lirë dhe migracionin e rregullt etj.

Përfaqësues nga Sektori i Migracionit në Ministrinë e Brendshme patën një pjesëmarrje aktive dhe shpjeguan më tej strategjinë e migracionit. Zyrat e sektorit të migracionit nën varësi të Ministrisë së Brendshme, do të veprojnë sipas planit të ri të veprimit dhe strategjisë së re në zbatim të të cilave do të jetë sekretariati teknik i cili do të kujdeset për zbatimin e planit dhe komiteti teknik përgjegjësia e të cilit do të jetë kryerja e monitorimit për zbatueshmërinë e reformës. Ministria e Brendshme ka rolin për të monitoruar strategjinë dhe për të hartuar politikat në kuadër të kësaj strategjie. Për momentin ka dy specialistë të migracionit si pjesë e Sektorit të migracionit ndërkohë që ky sektor bashkëpunon dhe me sektorin e antitrafikut po në Ministrinë e Brendshme. Për të monitoruar strategjinë dhe zbatimin e saj, përgatitet një raport 6 mujor në koordinim dhe me strukturat dhe aktorët e tjerë. Ky raport më pas i dorëzohet Sekretariatit dhe u dërgohet autoriteteve përkatëse.

Gjatë këtij sesioni sugjerime dhe rekomandime u nxorën mbi monitorimin e strategjisë, procesin e harmonizimit të legjislacionit dhe koordinimit dhe bashkëpunimit mes strukturave vendore dhe bashkëpunimit me ato ndërkombëtare dhe europiane.