Informaliteti në Sektorin e Bujqësisë dhe Kapaciteti për përthithjen e Fondeve Strukturore për Zhvillimin Rural

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, realizoi më datë 21 dhjetor 2015 në Lushnjë, Sesionin e 4 të Grupit të Punës III, me temë ” Informaliteti në Sektorin e Bujqësisë dhe Kapaciteti për përthithjen e Fondeve Strukturore për Zhvillimin Rural”.  

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA) hapi takimin duke shpjeguar rëndësinë që ka sektori i bujqësisë dhe arritja e standardeve të sigurisë ushqimore. Ai theksoi faktin që për të arritur standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian duhet shumë investim dhe mbështetje për të dy sektorët privatë dhe shtetërorë, por gjithsesi nënvizoi ai në fokus është gjithmonë agrobiznesi, për të zhvilluar kapacitetet dhe për t’u bërë konkurrues në treg. Fermeri i vetëm nuk ja del dot, u shpreh ai, dhe për këtë duhet lobim dhe organizim për të arritur investimet e duhur dhe për ta çuar në drejtimin e duhur zhvillimin e Bujqësisë dhe agrobiznesit. Sipas tij nuk ka zhvillim të bujqësisë pa mbështetjen e agrobiznesit dhe puna e bërë deri tani nga EMA dhe partnerët e saj ka si fokus kryesor pikërisht këtë, të promovojë, të informojë dhe të rekomandojë për masat dhe politikat që duhen ndjekur për zhvillim të mëtejshëm të bujqësisë në Shqipëri dhe njëkohësisht të gjithë procesit të Integrimit Europian.

Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar shpjegoi situatën ku ndodhej Agrobiznesi shqiptar, dhe kërkesat e menjëhershme që duhen plotësuar për arritjen e standardeve por edhe për zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Subvencioni ishte tematika kryesore e diskutimit, dhe z. Rrapaj paraqiti me hollësi problematikat e këtij procesi në Shqipëri duke e cilësuar si plaga më e madhe e bujqësisë. Për të, problem është fakti që financimet jepen vetën nga Organizatat Ndërkombëtare dhe nga ato private dhe në të shumtën financimet janë individuale,pra vetëm për një hallkë të gjithë zinxhirit të bujqësisë duke e kthyer këtë në një proces të fragmentarizuar,të copëtuar dhe pa strategji që nuk ndihmon agrobiznesin të përmbushë kërkesat e veta. Një shembull për këtë sipas z. Rrapaj është edhe Financimi nga një shoqëri spanjolle i cili dështoi pikërisht për mungesë të një platforme konkrete dhe gjithëpërfshirëse. Problem tjetër është që edhe subvencionet që jepen nga organizata si Banka Botërore apo struktura IPARD-like janë dizmbursuar deri në nivelin 40%. Por problem është edhe Kredia, përqindja e kredive në të shumtën e rasteve janë shumë të larta dhe të pamundura për tu përballuar për fermerin, dhe financimet shërbejnë vetëm për të mbijetuar por jo për zhvillim të mëtejshëm të niveleve të tregtimit. Ai u shpreh se KASH ka realizuar një program konkret që do ti paraqitet edhe institucioneve shtetërore dhe qeveritare, ku kërkohen formalizimi i agrobiznesit, pajisja me kartë elektronike dhe krijimi i Shoqatës Kombëtare të Agrobiznesit si qendër për të koordinuar dh menaxhuar projektet, subvencionet dhe politika të tjera që lidhen me bujqësinë në vend. Nafta dhe çmimi i saj është një tjetër problem për t’u zgjidhur për fermerin, i cili për shkak të vështirësive të tjera si toka e vështirë, teknologjia dhe mekanika e vejëruar dhe e amortizuar, si dhe terreni jo i përshtatshëm për bujqësinë i rritet kostoja e çmimit të naftës me 20%, duke paguar nga 180 Lek/l realisht në 200 lek/l. Ky çmim është mjaft i lartë edhe për faktin se nafta e blerë nga fermeri është e eksportuar dhe nuk përdorin naftën e vendit, edhe pse dihet që Shqipëria është e pasur me rezerva të tilla. Sipas llogarive të z. Rrapaj nëse sot fermerët paguajnë 100 mln lekë në vit për naftë, nëse do të përdornin naftën shqiptare nuk do të harxhonin më shumë se 40 mln lekë. Për këtë arsye kërkohet ulja e çmimit të karburantit për fermerin dhe mbështetje me financime për të tre hallkat e zinxhirit të agrobiznesit: Individit fermer/ fermave të mëdha dhe të mesme dhe Shoqatave të Bujqësisë.

Në fjalën e tij prezantuese dhe shpjeguese, z. Kliton Vaso, përfaqësues nga Unioni Shqiptar Kursim Kredi, instituti i parë financiar që ka si fokus kryesor financimin dhe zhvillimin e bujqësisë, me anë të dhënies së kredive rurale, ku 70% është e formës mikrokredi theksoi rëndësinë që ka subvencioni për fermerin shqiptar dhe se si ky proces mund të lehtësohet për kontekstin shqiptar. Ai u shpreh optimist që gjërat në Shqipëri po ndryshojnë për mirë, por problemi qëndron në faktin që edhe pse kreditë e ofruara janë më norma interesi shumë të mira, për fermerin ato mbeten akoma shumë të larta dhe të papërballueshme duke bërë që një pjesë e mirë e parave të kthehet mbrapsht të financuesi. Duke qenë që pjesa më e madhe janë mikrokredi ato nuk mjaftojnë për të bërë investime por thjesht për të ndihmuar fermerin të mbijetojë. Ai kërkoi ndërhyrjen e shtetit për financimin e fermerëve jo me mbjellje të prodhimeve bujqësore po me futjen e kapitalit me norma interesi të ulëta që do të sillte më shumë fitim dhe zhvillim. Një tjetër problematikë sipas z. Vaso është mungesa e informimit dhe njohurive të nevojshëm që duhet të kenë fermerët për më shumë efektivitet, sukses dhe zhvillim.

Florian Xhafa, ekspert i Grupit të Punës III, EMA u fokusua gjatë diskutimit të tij në 3 fusha kryesore që lidhen drejtpërdrejt me bujqësinë. Është një fatkeqësi u shpreh ai që bujqësia ku angazhohet më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare të jetë në këtë gjendje.

I)Programimi. Disa nga vështirësitë në këtë fushë lidhen me :

mungesën e një strategjie për zhvillimin rural dhe rolin e dobët të shtetit për realizimin një programi operacional bazuar në masa konkrete, që do të zhvillonin bujqësinë.

Nuk ka një Sistem Menaxhimi të mirëfilltë, strukturë kjo e nevojshme për të realizuar plan-veprimet dhe strategjitë

Sistemet e Informimit dhe Shërbimet e Ekstensioni janë pothuaj të dështuara dhe joefektive , edhe pse ato duhet të vazhdojnë të funksionojnë në një formë tjetër.

Mungesa e statistikave të sakta dhe të dhënave të drejtpërdrejta nga fermerët. Sot me statistikat e bujqësisë merret INSTAT, por të dhënat janë të përafërta dhe të bazuara në sondazhe edhe pse në bujqësi nuk ka vend për hamendësime.

II) Informaliteti është një pengesë e madhe për zhvillimin dhe arritjen e standardeve, por edhe për kapacitetin përthithës të agrobizneseve.

-Vështirësia për të identifikuar atë që do të subvencionohet , pasi është i nevojshëm një informacion i detajuar i aktivitetit të fermerit, cili është ai dhe se si do të arrijë të zhvillohet më tej. Sipas z. Xhafa fondet në Shqipëri dhe për Shqipërinë nuk mungojnë, ajo që mungon është aftësia përthithëse. Sipas tij një shembull është projekti 10 mln € në Shqipëri për zhvillimin rural , ku 6 mln vinin nga BE, 2 mln nga Gjermani dhe 2 mln të tjera nga Shqipëria, nuk arriti të revokohej i tëri, dhe rreth 4 mln u disbursuan.

Mungesa e interesit për të bërë politika.

Institucionet nuk funksionojnë siç duhet dhe mungon paanshmëria. Problemi qëndron të mos-akreditimi i institucioneve dhe është e vështirë se si një institucion që nuk ka standarde të larta të jetë autoritet mbikëqyrës apo zbatues i politikave. Mungon gjithashtu pavarësia dhe në të shumtën e rasteve ka ndërhyrje duke shkaktuar shkelje të rregullave.

III) Arritja e Standardeve të BE-së. Fakti që 40% e fondeve të IPARD-like u dismbursuan nënkupton paaftësinë e agrobiznesit shqiptar për të përthithur dhe mbajtur fonde. Arsyet sipas z. Xhafa janë disa:

mungesa e një plani

mungesa e një ligji për financimet

mungesa e një procedure të saktë për menaxhimin e tokave që skualifikon shumë aplikantë pasi kusht për financimin është te kesh tokë, dhe shumë prej fermerëve nuk e plotësojnë atë.

mosrespektimi i rregullave edhe nga autoritetet si rasti i rregullores mbi Ndërtimin, duke e penalizuar fermerin aplikant me mosmarrjen e fondit të kërkuar pasi cilësohet si shkelës i ligjit.

Standardet e inspektimit janë shumë të ulëta, me inspektorë të pakualifikuar që nuk kanë njohuri mbi procesin he procedurat dhe kontrollin.

Licencimi. Një sistem i qartë i licencimit dhe fakti që ata fermerë që nuk licencohen nuk sanksionohen, ndikon në një konkurrencë të pandershme dhe dëmton ata fermerë që janë të licencuar dhe respektojnë rregullat. Po kjo gjithashtu dëmton të gjithë bujqësinë që nuk respekton kriteret dhe nuk mund të konkurrojë më tregjet ndërkombëtare.

Më pas ai përmendi disa nga standardet që duhen të përmbushen nga Bujqësia shqiptare: -standardet mjedisore, -shëndeti publik, -shëndeti dhe -mirëqenia e kafshës, -mbrojtja e bimëve, -kushtet e punës.

fazën e dytë të sesionit u zhvillua një diskutim ku u përfshinë të gjithë pjesëmarrësit ku kishte edhe përfaqësues të huaj nga Izraeli që sollën eksperiencën izraelite dhe disa teknika efektive bujqësore si dhe ofruan bashkëpunim me agrobiznesin shqiptar duke e vlerësuar Shqipërinë si një vend me potencial të madh bujqësor. Pjesëmarrësit gjithashtu shprehën  domosdoshmërinë për bashkëpunim dhe formalizim të fermerëve, pasi nëse punojnë në grup së bashku,  subvencionimi bëhet më i lehtë dhe me më shumë përfitim. Duhet që të gjitha strukturat e shtetit dhe aktorë të tjerë të fillojnë të veprojnë dhe të mendojnë realisht dhe me masa konkrete dhe politika afatgjata mbi zhvillimin e bujqësisë dhe të gjithë hallkave të tij.