GP I, Sesioni 2: Negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe përvoja rajonale – Kapitulli 23 në fokus, 5 shkurt 2021

foto sesioni 2 gp 1 konventa

Ministria e Drejtësisë dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Shoqatën Sllovake për Politikën e Jashtme (SFPA) dhe me mbështetjen financiare të Asistencën Zyrtare për Zhvillim të Republikës së Sllovakisë kanë zhvilluar me 5 Shkurt 2021 konferencën virtuale me temë “Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe eksperienca rajonale – Kapitulli 23 në fokus”. Ky aktivitet u realizua në kuadër të Konventës Kombëtare mbi Integrimin Europian 2019-2021. Aktiviteti u bashkë-moderua nga zëv/ministrja e Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni dhe drejtori ekzekutiv i EMA, z. Gledis Gjipali.

Znj. Adea Pirdeni, hapi aktivitetin si fillim duke theksuar që ky bashkëpunim me EMA-n është i rëndësishëm për realizimin e nismave të tilla, ku debati e diskutimi i pritshëm do të dalloj pasi folësit do të flasin në mënyrë teknike për procesin e integrimit me fokus kapitullin 23 ,duke ofruar ekspertizën, si atë rajonale dhe europiane ashtu dhe eksperiencën lokale. Gjithashtu znj. Pirdeni bëri një prezantim të axhendës dhe të folësve duke nënvizuar çështjet që do të diskutohen nga ata për të krijuar një panoramë sa më të plotë të këtij procesi kompleks, dinamik dhe gjithëpërfshirës.

Znj. Etilda Gjonaj, Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë në fjalën e saj përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë konferencë. Ajo fillimisht theksoi rëndësinë që Ministria e Drejtësisë ka si institucioni lider në përgatitjen dhe koordinimin e procesit të negociatave për kapitullin 23 dhe për harmonizimin e legjislacionit vendas me Acquis e BE-së. Znj. Gjonaj u shpreh se qeveria shqiptare është fokusuar në ngritjen e një infrastrukture ligjore dhe institucionale të funksionimit të ligjit në Shqipëri. Reforma në drejtësi ka ridimensionuar tërësisht gjyqësorin shqiptar dhe ngritja e strukturave të specializuara kundër korrupsionit kanë kontribuar në luftën kundër mosndëshkimit. Në kuadër të kapitullit 23 dhe nismave për zbatimin e standardeve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore fokusi i Ministrisë së Drejtësisë ka qenë në krijimin dhe forcimin e një sistemi të ri  për dhënien e ndihmës juridike falas. Znj. Gjonaj gjithashtu vlerësoi partnerët ndërkombëtarë që kanë kontribuar në ngritjen dhe trajnimin e kapaciteteve që e ofrojnë këtë shërbim ligjor dhe dhënien e ekspertizës së tyre në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

Z. Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i EMA shprehu kënaqësinë e tij si bashkëpunues në organizimin e këtij aktiviteti dhe foli për rëndësinë e kapitullit 23 në procesin e integrimit. Ai falenderoi pjesëmarrësit dhe tha se ky është sesioni i dytë nga një cikël sesionesh që do të mbahen në kuadër të Konventës Ndërkombëtare për Integrimin Europian me fokus kapitullin 23. Z. Gjipali bëri me dije se Konventa ka pasur sukses në vendet e Ballkanit dhe e njëjta gjë pritet në Shqipëri.

Z. Ján Figeľ, ish-komisioner europian dhe ish-Kryenegociator për Aderimin e Sllovakisë në Bashkimin Europian shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen dhe u tregua i gatshëm të japë kontributin e tij për procesin në tërësi. Ai shkurtimisht shpjegoi historikun e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshtaten dhe të nxjerrin mësime nga situatat sfiduese që BE ka përballuar në proceset e shkuara. Z. Figeľ tha se paqja dhe globalizimi janë dy arsyet kryesore pse këto vende duhet të europianizohen e të integrohen. Për më tepër, ai u shpreh se si pjesë e unionit vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të përforcojnë 4 vlerat bazë të përmendura edhe në Traktatin e Lisbonës si: dinjiteti njerëzor, liria, barazia dhe solidariteti. Z. Figeľ përmendi gjithashtu Kriterin e Madridit, si vazhdim i tre kritereve të Kopenhagenit, i cili e vë theksin te kapacitetet administrative për përgatitjen e axhendës europiane. Ai shtoi se Shqipëria duhet të punojë më shumë dhe të krijojë marrëdhënie të mira me vendet fqinje si pjesë e përgatitjes për integrim. Z. Figel’ e vazhdoi fjalimin e tij duke dhënë shembuj konkretë të mënyrës si Sllovakia procedoi për tu bërë pjesë e BE-së dhe citoi punë të ndryshme akademike për të shpjeguar rëndësinë e anëtarësimit në BE.

Z. Sofjan Jaupaj, Shef i Kabinetit të Kryenegociatorit të Shqipërisë me BE paraqiti fjalën e z. Zef Mazi, i cili e pati të pamundur pjesëmarrjen në aktivitet. Në fjalën e prezantuar u paraqit roli që ka kryenegociatori në këtë proces dhe motivimin dhe angazhimin për ta kryer këtë përgjegjësi në mënyrë sa me të suksesshme dhe duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët shqiptarë e ata europianë

Z. Tomas Strazay, Drejtor i Qendrës Kërkimorë të Shoqatës Sllovake për Politikën e Jashtme (SFPA) përshëndeti aktivitetin duke vendosur theksin të qëllimet dhe arritjet e Konventës për Integrimin Europian, si një platformë e zbatuar për herë të parë në Sllovaki, dhe bazuar në suksesin e saj ky model filloi të realizohej dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetit Lindor gjithashtu. Z. Strazay gjithashtu vuri theksin në elementin e rëndësishëm të kësaj platforme, që është dhe ofrimi e shkëmbimi i eksperiencave sllovake dhe ato europiane me vendin kandidat në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Znj. Fjoralba Caka, ish-zëvendës ministre e Drejtësisë dhe njëkohësisht eksperte e  së Drejtës Europiane bëri një prezantim më teknik dhe specifik për procesin e negociatave në kuadër të kapitullit 23, strukturat dhe kapacitetet që duhen ngritur dhe duhen të funksionojnë si dhe duke nënvizuar ato zhvillime të realizuar deri më tani nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të procesit screening dhe Platformës së Partneriteti për Integrimin Europian. Element tjetër me rëndësi janë edhe prioritetet e vendosura për shtetin shqiptar, një pjesë e të cilave përfshihen në këtë kapitull.