GP III, Sesioni 2: Standardet e marketingut dhe Prodhimi organik- përditësimi i legjislacionit europian , 21 prill 2021

wg3

Më 21 prill 2021 Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në partneritet me Slovak Foreign Policy Association dhe me mbështetjen financiare të SlovakAid organizuan në kuadër të Konventës për Integrimin Europian sesionin 2 të Grupit të Punës III. Tema e këtij aktiviteti ishte: “Standardet e marketingut dhe prodhimi organik – përditësimi i legjislacionit europian”.

Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA përshëndeti pjesëmarrësit dhe foli shkurtimisht mbi rëndësinë e kësaj teme dhe adaptimin e legjislacionit europian në vendin tonë. Ai theksoi dhe rëndësinë që kanë aktivitete të tilla për tu informuar dhe ndarë eksperiencat si mes aktorëve lokalë ashtu dhe me ekspertët sllovakë e europianë.

Luresha Grezda, Drejtore pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural foli më specifikisht për kapitujt që Ministria e Bujqësisë koordinon, ku disa prej tyre përfshihen dhe në Grupin e Punës III të Konventës. Ajo u shpreh se Ministria e Bujqësisë po harton dy dokumente kryesore. Dokumenti i parë ka të bëjë me Strategjinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Peshkimit. Dokumenti i dytë lidhet me  IPARD III dhe është në fazën e konsultimit për sa i përket studimeve sektoriale. Ministria ka hapur thirrjen në kuadër të skemave kombëtare me buxhet të shtetit ku një ndër masat e përcaktuara është certifikimi i produkteve organike. Grezda falenderoi ekspertët dhe pjesëmarrësit, dhe theksoi rëndësinë që ka përfshirja dhe bashkëpunimi i tyre dhe e grupeve të interesit për hartimin e legjislacionit në Shqipëri.

Florian Xhafa, theksoi se bashkëpunimi i ministrisë me shoqërinë civile duhet të vazhdojë në rrugën e Shqipërisë drejt BE. Ai u ndal në mënyrë të detajuar te legjislacioni për pjesën e prodhimit organik. Xhafa u shpreh se në BE procesi i certifikimit po thjeshtohet por kontrolli zyrtar po shtrëngohet. Ai sugjeroi që rregullorja që pritet të ndryshojë në BE duhet të shikohet në mënyrë të integruar në Shqipëri.

Viera Baričičová, eksperte Sllovake mbi standardet e produkteve të freskëta realizoi një prezantim mbi standardet specifike të produkteve në BE. Si fillim, ajo foli për klasifikimin në standarde publike të cilat janë të detyrueshme dhe në ato private që ndiqen në mënyrë vullnetare. Vendosja e standardeve të cilësisë në bujqësi bëhet nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE). Vendet që nuk janë anëtare në BE mund t’i zbatojnë ato direkt duke i përshtatur me kushtet kombëtare, ndërsa BE ka një marrëveshje specifike me UNECE për sa i përket frutave dhe perimeve. Këto standarde janë përvetësuar dhe nga Codex Alimentarius që merret me standardet për ushqimin në tërësi. Një tjetër organ që shpjegon tekstin dhe materialet e UNECE është Skema eOECD. Baričičová më tej shpjegoi anën legjislative të këtij procesi për frutat dhe perimet. Ajo rekomandoi që para anëtarësimit në BE vendi ynë duhet të fillojë nga puna me legjislacionin kombëtar duke ju referuar standardeve të UNECE. Prezantimi vazhdoi me strukturën e standardeve të bujqësisë duke u ndalur specifikisht në secilën kategori. Përkufizimi i produktit bëhet duke përdorur emërtimin botanik dhe atë latin ndërsa kufizimet për sa i përket cilësisë bëhen në fazën e eksportit pas përgatitjes dhe paketimit. Kërkesat minimale nuk lejojnë që produkti të ketë dëmtime, kalbje dhe duhet të sigurohet ruajtjen e pastërtisë. Frutat dhe perimet duhet të mos kenë insekte, aroma të pakëndshme dhe të kenë një pamje të freskët. Kushtet e pjekurisë varen nga produkti dhe koha e duhur e mbledhjes. Klasifikimi sipas standardeve bëhet në tre kategori: Klasi ekstra (Extra Class) , Klasi I (Class I), Klasi II (Class II). Extra class janë produktet me cilësinë më të lartë të mundshme. Class I janë produktet me cilësi të mire që mund të kenë dëmtime të vogla por që nuk ndikojnë në cilësinë dhe prezantimin final. Në kategorinë Class II janë të gjitha produktet që nuk arrijnë standardet e dy kategorive të para, por përmbushin kërkesat minimale të cilësisë. Madhësia e produktit dhe rezistenca janë kushte të tjera që duhen përmbushur specifikisht për çdo produkt. Një vend të rëndësishëm zë prezantimi uniform dhe paketimi i cili duhet të identifikohet me llojin e produktit, vendin e origjinës, logon etj.

Diskutimet u ngritën mbi mundësinë e vendosjes së kritereve nga shoqatat dhe zinxhirin ushqimor. Më tej u fol për prodhimin organik dhe hartimin e ligjeve në Shqipëri. Ndryshimet mes prodhimit konvencional që konsiderohet i pasigurt dhe prodhimit të integruar që konsiderohet i shëndetshëm u argumentuan gjerësisht nga pjesëmarrësit. U sugjerua hartimi i një strategjie që bazohet te kostoja e produktit, subvencionimi dhe organizimi i tregut me produkte të shëndetshme. Në përfundim, u komentua mënyra se si Shqipëria mund të përfitojë nga eksperienca sllovake në një mënyrë më konkrete.

Aktivitetin mund ta ndiqni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=752V_JqebOw