GP III, Sesioni 1: Siguria ushqimore dhe standardet e kërkuara në kuadër të integrimit europian, 9 dhjetor 2020

Photo WG III, Session 1

Më 9 dhjetor 2020, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), Kuvendi i Shqipërisë dhe Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen financiare të SlovakAid, organizoi Sesionin 1 të Grupit të Punës III me temë “Siguria ushqimore dhe standardet e kërkuara në kuadër të integrimit europian”. Grupi  i Punës III, falë përvojës së ekspertëve, po shqyrton tema në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore  duke parashikuar një proces të mëtejshëm të reformës dhe pranimit në BE me fokus kapitujt e Acquis të BE, konkretisht Kapitullin 11 dhe Kapitullin 12. Në këtë sesion të parë u përzgjodh  për diskutim Siguria Ushqimore në Shqipëri, sfidat për arritjen e standardeve dhe  politikat e ndërmarra, si dhe nevoja për bashkëpunim mes aktorëve shtetërore dhe atyre jo-shtetërorë në këtë fushë.  Ky sesion gjithashtu nxori rekomandime dhe sugjerime në lidhje me temën e përzgjedhur dhe çështje që lidhen me kornizën ligjore; kapacitetin institucional dhe trajtimin e çështjeve.

Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i EMA, hapi Sesionin 1 për Grupin e Punës III të Konventës. Fjalimi i tij  nisi me një falenderim për pjesëmarrjen. Ai vazhdoi më pas me një shpjegim të  shkurtër rreth Konventës për Integrimin Europian, ku theksoi se nëpërmjet saj synohet  të  krijohet  një  urë  bashkëpunimi midis institucioneve publike të  rëndësishme në  procesin e integrimit si Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë nga njëra anë,  dhe grupeve të  interesit, shoqërisë civile dhe rrjeteve akademike, nga ana tjetër, të  cilët do të  kenë njëkohësisht si  përfitime dhe kosto nga ky proces. Ai u shpreh gjithashtu se është shumë e rëndësishme që  këto ura bashkëpunimi të  ndihmojnë  sa më  shumë  në  ecjen përpara të  procesit të  integrimit, duke mirëinformuar, duke kontribuar në  konsultimin rreth këtij procesi, si dhe duke krijuar një  aleancë  midis institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të  interesuar.

Znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë si dhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ishte e ftuara e nderit e cila e nisi fjalimin e saj me një  falenderim për ftesën. Ajo u shpreh se ky aktivitet i përbashkët është  shumë  me vlerë  pasi nuk është  kufizuar vetëm në  diskutimin e atyre kapitujve më shumë të trajtuar, por dhe në  kapitujt e tjerë të  cilët prekin gjithashtu të  drejtat e njeriut, ku një  ndër to  është  dhe  siguria ushqimore. Përsa i përket rolit të Parlamentit në  këtë  proces, ajo u shpreh se ky i fundit luan një  rol të  rëndësishëm jo thjesht në  procesin e integrimit dhe negociatave, por dhe në  fushën e sigurisë  ushqimore dhe cilësisë së  jetës së  qytetarëve. Ajo theksoi se bashkëpunimi i Kuvendit me shoqërinë civile dhe me aktorë  të  tjerë  shtrihet në  pesë  fusha të  rëndësishme  ku konkretisht përfshihen:

1.Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE;

2.Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare, monitorimi dhe kontrolli i zbatimi të  detyrimeve dhe reformave që shteti shqiptar ka marrë  në  kuadër të  anëtarësimit;

3.Promovimi i procesit të integrimit europian nëpërmjet bashkëpunimit ndërparlamentar dhe informimit të  publikut, ku zonja Hysi vuri në  dukje se në  fushën e sigurisë  ushqimore ka akoma punë  për të  bërë  në  lidhje me informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut përsa i përket kërkesave për të pasur siguri ushqimore.

4.Marrja e mendimeve të grupeve të interesit dhe të  organizatave të  shoqërisë  civile në  procesin ligjvënës dhe të  kontrollit parlamentar ku sipas zonjës Hysi, ne kemi një  përvojë  të  mirë, pasi kapacitetet e Kuvendit nuk mund të  mundësojnë  dije të  specializuara në  fushën e sigurisë  ushqimore, prandaj dhe kontributi i tyre është  i domosdoshëm.

5.Buxhetimi. Kjo fushë, u shpreh ajo kërkon institucione dhe burime njerëzore të specializuara dhe fonde për informimin dhe sensibilizim. Në këtë kuadër ajo gjithashtu shtoi se do të vlerësonte rolin e shoqërisë civile dhe institucioneve në adresimin nëpërmjet rekomandimeve konkrete për të sinjalizuar ato aspekte të punës që nuk funksionojnë në institucione publike të ngarkuara dhe të specializuara për të arritur sigurinë ushqimore.

Në lidhje me legjislacionin, zonja Hysi theksoi se Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar dhe  miratuar gjate vitit 2019-2020, pesë ligje në fushën e sigurisë ushqimore. Nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe konsultimit publik, është bërë i mundur që nëpërmjet ligjit të miratuar në 2019 “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, të mundësohet një konkurrencë te drejtë për fermerët, informacion i nevojshëm për konsumatorët si dhe shqyrtimi dhe konsolidimi i detyrave dhe kompetencave përkatëse  të organeve përgjegjëse. Ajo shtoi gjithashtu se ky ligj është përafruar dhe me rregulloren e BE të vitit 2012. Përsa i përket cenimeve në fushën e sigurisë ushqimore, ajo shtoi se në vitin 2019 janë bërë ndryshime në Kodin Penal, ku janë shtuar tre vepra të reja penale lidhur me çështjen. Ajo gjithashtu bëri  një thirrje për të  dhënë mendime dhe opinione që në fazën e konsultimit publik, lidhur me Kodin e ri Penal që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë duke theksuar nevojën e një kodi të ri, modern, i cili duhet t’i japë rëndësi sigurisë ushqimore e cilësisë së jetës. Në lidhje me risitë e reja në fushën e legjislacionit, ajo tha se Kuvendi ka një Komision për veprimtarinë prodhuese të tregtisë dhe mjedisit i cili ka shqyrtuar ligjin për ushqimin ku janë bërë dhe ndryshime të rëndësishme. Një ligj tjetër i rëndësishëm sipas saj është dhe ligji i sapo miratuar  për “Çrregullimet nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”, i cili ka nevojë të monitorohet. Ligji i fundit i miratuar në 2020 është ai “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin për inspektimin sanitar”, i cili ka një rëndësi të veçantë sidomos në kushtet e pandemisë, shtoi ajo.  Në fund ajo i vuri theksin nevojës së një plani veprimi ku mund të përfshihen sa më shumë organizata të cilat mund t’i shikojnë këto probleme nga këndvështrime të ndryshme, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofron Kuvendi dhe duke dhënë kontributin  e tyre për hartimin e projekt-ligjeve të reja në platformën online të konsultimit publik.

Znj. Elda Zenelaj, Drejtore e Sekretariatit teknik të KKIE, si fillim bëri një prezantim lidhur me Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian ku një nga detyrat e tij  ka të bëjë me nxitjen dhe garantimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile si dhe rritjen dhe transparencën e vendimmarrjes për çështjet e integrimit europian. Lidhur me transparencën, ajo u shpreh se përveç transmetimit live, Këshilli publikon dhe procesverbalet e takimeve për t’u njohur me detajet e tyre. Lidhur me organizatat e shoqërisë civile, ajo shtoi se me vendim unanim, Këshilli e ka rritur numrin e tyre në 18. Aktualisht Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, përbëhet nga 52 anëtarë, ku përveç deputetëve ka dhe përfaqësues të shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe nga akademia. Në fund të prezantimit, zonja Zenelaj ofroi ftesën për vazhdimin  e krijimit të aktiviteteve të tilla, jo vetëm në fushën e sigurisë ushqimore, por dhe në fusha të tjera.

Z. Florian Xhafa, Ekspert i brendshëm i Konventës për Grupin e Punës III, bëri një prezantim për disa nga pikat kryesore të standardeve në  lidhje me  sigurinë  ushqimore dhe evoluimin e  procesit të  integrimit europian. Ai u përqendrua në  katër pika kryesore të  sigurisë  ushqimore dhe zhvillimeve të  kësaj fushe  në  Shqipëri, jo vetëm në  aspektin ligjor, por dhe atë  të  zbatimit të  ligjit. Ai gjithashtu shtoi se përsa i përket BE, ai do të  përqendrohet në  lëvizjen e lirë  të  mallrave ndërmjet vendeve anëtare e cila është  e rëndësishme për Shqipërinë  pasi kuptojmë  dy aspekte ku ndikon siguria ushqimore konkretisht në  fushën e shëndetit publik dhe lëvizjen e lirë  të  mallrave. Në  lidhje me aspektin e parë, legjislacioni i sigurisë ushqimore në  Shqipëri, ka ecur relativisht mirë  duke u përqasur dhe me Acquis  e sigurisë  ushqimore të  BE, veçanërisht me rregulloret, pasi ndryshe nga shumë  fusha të  BE ku shtetet anëtare zgjedhin vetë  format e rregullimit, siguria ushqimore është  e rregulluar në  nivel komunitar, pra shtetet anëtarë  kanë  hequr dorë pothuajse tërësisht nga sovraniteti i tyre në  drejtim të  së  drejtës komunitare, i cili vendos për sigurinë  ushqimore të  këtyre shteteve. Përsa i përket legjislacionit shqiptar, zoti Xhafa tha se ai është  përshtatur me atë të  BE duke filluar që  nga Rregullorja  e Higjienës e 2002, e cila është  dhe rregullorja bazë  e ligjit për sigurinë  ushqimore në  BE. Ai shtoi gjithashtu se ka disa elemente të  sigurisë  ushqimore në  Shqipëri që  e bëjnë  deri diku te paprekshëm impaktin e miratimit të  këtij legjislacioni  e cila ka të  bëjë  me mënyrën se si zbatohet ky legjislacion. Lidhur me rregulloren e higjienës së BE të  cilën ne e kemi miratuar në  2008, ka disa parime të  cilat bëjnë  të  mundur zbatimin e saj ku një  ndër to është   kontrolli i ushqimit nga ferma në tavolinë, ku Shqipëria nuk ka një  autoritet të vetëm përgjegjës për këtë  kontroll. Ky kontroll në  Shqipëri kryhet nga tre autoritete të  cilat janë  sa të  pavaruara aq dhe të  ndërlidhura me njëri-tjetrin, pra këtë  kontroll në  mënyrë  të  natyrshme  në  BE, ne e kemi copëzuar, kjo përbën problem pasi shumica e problematikave lidhur me sigurinë  ushqimore lidhen me produktet me origjinë  shtazore, tha ai. Parimi i dytë i rregullores së  higjienës lidhet me analizën e riskut, ku Shqipëria paraqet probleme pasi edhe sot ne ende nuk kemi një plan analitik të  sigurisë  ushqimore. Parimi i tretë, i cili   ka të bëjë  me përgjegjësinë kryesore, atë  të  prodhuesve, lidhet me parimin e katërt i cili është  gjurmueshmëria, pra kush e ka sjellë  defektin e produktit, tha ai. Parimi i pestë, shtoi zoti Xhafa, është  informimi, i cili duhet të  jetë  publik, pasi ka të  bëjë  më  të  drejtën themelore të  qytetarëve për t’u informuar, por edhe pse këto sisteme informimi i kemi në  ligje, në  praktikë  ato mungojnë. Përsa i përket aspektit të  dytë atë të lëvizjes së lirë të mallrave, Shqipëria në  vitin 1992 ka miratuar marrëveshjen e tregtisë  së  lirë, ku produktet me origjinë  shtazore mund të  tregtohen lirshëm në  BE. Megjithatë Shqipëria tregton vetëm disa produkte  të  certifikuara në  nivel industrie, ndërsa produktet me origjinë  shtazore nuk nxirren jashtë Shqipërisë, theksoi ai. Për këtë çështje ai fajëson paaftësinë e shtetit shqiptar për të garantuar kontrollin e vetëm autoritar veterinar, siç ndodh në BE.

Z. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) paraqiti një panoramë lidhur me problematikat kyçe që adresohen në këtë fushë. Ai e filloi fjalimin e tij me një prezantim të  shkurtër lidhur me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar, i cili këtë  vit shënon dhe 20 vjetorin e tij. Siguria ushqimore, shtoi ai, është  pjesë  kryesore e disa hallkave si: fermeri (bujqësia), blegtori (blegtoria), peshkimi dhe akuakultura, agrobiznesi, agro-përpunimi (industria ushqimore), bletaria dhe mjedisi, bimët mjekësore, tregjet agro-blegtorale dhe në  fund mikrofinanca, ku ai theksoi dhe nevojën  e një  ligji në  lidhje me hallkat e përmendura. Më pas zoti Rrapaj, adresoi problematikat për çdo hallkë, duke e nisur me fermerin dhe rëndësinë e informimit, pasi këta fermerë kanë potenciale të jashtëzakonshme të cilat vërtetohen me moskthimin e kamionëve gjatë vitit 2020, të fruta-perimeve, në vendet e BE. Përsa i përket peshkimit dhe akuakulturës, ai tha se qeveria i ka kushtuar një rëndësi të veçantë, duke e dyfishuar buxhetin e kësaj fushe, duke treguar që ky sektor është në eksport tashmë, por që po has në vështirësi nga pandemia. Një problematikë që shtroi ai, lidhet me midhjen e Sarandës, e cila për arsye burokratike të mosgjurmueshmërisë, nuk mundëson eksportin. Më pas ai kaloi tek agrobiznesi, tek qendrat e grumbullimit, të cilat janë nyja kyçe e zinxhirit ushqimor dhe duhet të vazhdojmë t’i fuqizojmë ato duke i rritur në sasi, të cilën ne e kemi arritur dhe për momentin kemi 227 qendra, nga 20-30 të tilla para 7-8 viteve. Nga pikëpamja sasiore e kemi plotësuar hartën, por nga na cilësore ne kemi akoma probleme, pasi janë akoma të paplotësuara me mekanizmat që duhen dhe veçanërisht më çështjen e laboratorëve, të cilët përveçse janë të lidhur ngushtësisht me sigurinë ushqimore, janë të lidhur dhe me eksportin. “Nëse ne do të kishim laboratorë të akredituar për produktet tona”, shtoi ai, “do të zgjidhnim një problematikë të madhe në hallkat e zinxhirit, veçanërisht tek investimet private, pasi nuk mund të investojnë nëse nuk ka një laborator, ku përveç godinave moderne duhet dhe një staf”. Ai përmendi dhe një problematikë tjetër me këto qendra, e cila është dhe informaliteti, ku me statistikat e vjetra, nga 354 000 fermerë rreth 15% e tyre kanë një NIPT, ndërsa 85% nuk e kanë këtë. Ai gjithashtu vuri në dukje se ligji ‘Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor’ është i vitit 2012 dhe nuk ka asnjë amendament, asnjë udhëzim dhe është i pazbatueshëm, pra ose duhet hequr nga skena e ligjeve ose duhet amenduar që të shërbejë realisht. Sa i përket bletarisë dhe bimëve medicinale, zoti Rrapaj tha se Shqipëria ka shumë potencial, por problematika qëndron tek certifikimi, ku zgjidhja e duhur sipas tij do të ishte certifikimi në grup dhe jo ai individual. Në lidhje me tregjet agro-blegtorale, ai  u shpreh se janë hallka më e dobët, veçanërisht ato blegtorale, ku nga 33 tregje blegtorale, vetëm 2 i plotësojnë kriteret. Si përfundim ai u shpreh se nëse do të rishikohet dhe shtohet buxheti në investimet private, do të bëhet e mundur që fjalët të mos mbeten në letër, por të bëhen realitet.

Z. Matej Struhar, ekspert sllovak mbi sigurinë ushqimore, i cili prezantoi eksperiencën sllovake, elementet ku vendi ynë ka ngjashmëri si dhe mësimet që mund të nxirren dhe shfrytëzohen në rrugën drejt procesit të integrimit europian. Siguria ushqimore, u shpreh ai, është një nga prioritetet e BE dhe njëkohësisht dhe të Sllovakisë. Këto prioritete ndodhen në ‘Dokumentin e Bardhë të Sigurisë Ushqimore’, i cili është një dokument mbi sigurinë ushqimore në BE dhe përmban: parimet e përgjithshme të sigurisë ushqimore, elementet kryesore të politikës së sigurisë ushqimore, krijimin e një autoriteti mbikëqyrës, aspekte rregullatore, kontrolle dhe informacion për konsumatorin. Në lidhje me çështjet kryesore lidhur me sigurinë ushqimore, ai përmendi: pajtueshmërinë me kërkesat për prodhimin, përpunimin, transportin dhe magazinimin e ushqimit; pajtueshmërinë me kërkesat e ushqimit; respektimin e kushteve ushqimore, teknikave dhe higjienës së blegtorisë; pajtueshmërinë me kërkesat për prodhimin, përpunimin, transportin, magazinimin e ushqimit ;dhe pajtueshmërinë me kërkesat ushqimore në lidhje me sigurinë shëndetësore. Ai përmend dhe parimet kryesore që lidhen me mundësimin e sigurisë ushqimore si: monitorimi i lëndëve të para dhe ushqimit në të gjitha fazat gjatë gjithë procesit të prodhimit të ushqimit deri tek konsumatori përfundimtar, eliminimi i rreziqeve gjatë gjithë procesit të prodhimit të ushqimit për konsumatorin, ekzistenca e mekanizmave për zbatimin e shpejtë të masave efektive gjatë gjithë procesit për të zvogëluar dhe eleminuar kërcënimet ndaj shëndetit të konsumatorit dhe ndërveprimi i faktorëve, përcaktimi i kushteve, kontrollet, mbikëqyrja si dhe konsumi. Në lidhje me dokumentin i cili përmban parimet kryesore të sigurisë ushqimore, ai u shpreh se ky dokument u hartua sipas Autoritetit Europian të Sigurisë Ushqimore (EFSA), i cili mundëson sigurimin e këshillave dhe mbështetjes së pavarur shkencore për ligjin / politikat e BE-së mbi sigurinë e ushqimit, sigurimin e komunikimit të pavarur me kohë të rrezikut dhe nxitjen e bashkëpunimit shkencor. Në lidhje me sistemin e krijimit të ligjit europian për  sigurinë ushqimore, ai tha se ky sistem përbëhet nga disa organe, duke filluar me Komunitetin Europian Shkencor, DG Sante – Drejtoria e Shëndetit i Komisionit Europian, Shtetet anëtare dhe Këshilli dhe Parlamenti.  Zoti Struhar vuri në dukje dhe bashkëpunimin e Sllovakisë me ESFA. Departamenti i Sigurisë dhe Ushqimit  të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Republikës Sllovake kryen detyrat e Zyrës për Sigurinë e Ushqimit dhe  funksionin e pikës së kontaktit kombëtar për bashkëpunim shkencor dhe teknik me EFSA. Sllovakia i siguron EFSA një bazë shkencore përfaqësuar nga 9 organizata sllovake. Sa i përket inspektimeve, autoritetet mbikëqyrëse në Sllovaki janë nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai nënvizoi se kryesore gjatë inspektimeve është monitorimi dhe pajtueshmëria me legjislacionin. Gjatë prezantimit të tij, ai i kushtoi rëndësi dhe procesit të gjurmimit. Gjurmueshmëria, sipas tij, nënkupton aftësinë për të gjurmuar dhe ndjekur një ushqim ose substancë prodhuese të ushqimit që synohet të përfshihet ose pritet të përfshihet në një ushqim, përmes të gjitha fazave të prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes. Sistemi i gjurmueshmërisë është i bazuar në numrin e grumbullimit i cili përmban informacione mbi datën e prodhimit. Si përfundim, në lidhje me pyetjen se si siguron Komisioni Europian sigurinë dhe cilësinë e ushqimit dhe produkteve bujqësore ai u shpreh se kjo bëhet nëpërmjet origjinës dhe gjurmueshmërisë, emërtimeve dhe standardeve, paketimit, mirëmbajtjes dhe transportimit, certifikimit, sigurisë së shëndetit, njoftimeve në portalin RASFF në lidhje me rreziqet, bashkëpunimeve rajonale dhe ndërkombëtare dhe monitorimeve të mashtrimeve, tha ai në fund.

Ju mund ta ndiqni aktivitetin në YouTube në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=0zKwS9SJopc&list=PLo5-u0UaQgmyTuCLRbzLJh4xgggMHPCOe&index=3