GP I, Sesioni 1: Ndihma ligjore falas në Shqipëri – roli dhe kontributi i aktorëve jo shtetërorë, 16 nëntor 2020

SONY DSC

Më 16 nëntor 2020, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), dhe Ministria e Drejtësisë (MD) në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen financiare të SlovakAid, organizoi Sesionin 1 të Grupit të Punës I me temë  “Ndihma ligjore falas në Shqipëri – roli dhe kontributi i aktorëve jo shtetërorë”.  
Grupi  i Punës I, falë përvojës së ekspertëve, po  shqyrton  tema në fushën e sistemit gjyqësor, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut duke parashikuar një proces të mëtejshëm të reformës dhe pranimit në BE. Brenda Kapitullit 23, kryesisht janë diskutuar anti-korrupsioni, të drejtat e fëmijëve, shërbimi ligjor falas dhe informimi, reformat në sistemin e drejtësisë etj.  të cilat më tej do të reflektojnë në zgjedhjen e temave të tjera të mundshme.

Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i EMA, hapi Sesionin 1 për Grupin e Punës I të Konventës. Fjalimi u nis me një përshëndetje për pjesëmarrësit. Ai vazhdoi më pas me shpjegimin dhe rolin e Konventës e cila është një iniciativë e nisur nga partnerët sllovakë, ku dhe u realizua fillimisht dhe më pas u përhap në vende si Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri. Nëpërmjet Konventës synohet krijimi i një ure bashkëpunimi midis institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe profesionistëve të grupeve të ndryshme të interesit të cilët duan të përfshihen në procesin e integrimit europian. Shqipëria është në prag të nisjes praktike të negociatave pas hapjes zyrtare të tyre në mars të 2020. Kjo do të thotë që duhet më shumë angazhim sa i përket administratës shtetërore, si institucioni kryesor në këtë proces si dhe nga të gjitha grupet e interesit. Në lidhje me zbatimin e Konventës, janë krijuar 4 grupe pune ku një prej tyre është Grupi 1 i cili ka si fokus gjyqësorin dhe të drejtat themelore pra kryesisht kapitullin 23 të legjislacionit të Bashkimit Europian. Përsa i përket këtyre fushave, çështja  e ndihmës ligjore falas dhe zhvillimet e ndryshme që vendi ka pasur është përzgjedhur si temë e parë e këtij grupi pune.

Znj. Adea Pirdeni, zëvendës ministre e Drejtësisë ishte një nga mbështetëset e kësaj iniciative e cila falenderoi përveç të tjerëve partnerët ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e  botës akademike. Ministria e Drejtësisë është institucioni lider për kapitullin 23 në kuadër të procesit të negociatave me BE. Në kuadër të reformës në drejtësi është miratuar ligji për ndihmën juridike të garantuar nga shteti i cili sjell ndryshime jo vetëm nga pikëpamja legjislative, por dhe organizative. Si një mjet i cili garanton aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, që të jetë efektiv, ai kërkon bashkëpunimin e aktoreve shtetërorë dhe atyre jo-shtetërorë. Në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë jo vetëm si institucioni përgjegjës për  të garantuar zbatimin e këtij ligji, por dhe si  institucioni i cili ka gjithashtu përgjegjësinë e  përcaktimit dhe hartimit të politikave dhe strategjive për ndihmën juridike falas, ka një strukturë përgjegjëse në varësi. Kjo strukturë është Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas e krijuar në 2019, e cila edhe pse është një institucion i ri, ka shfaqur efektivitet në punën e saj , e provuar nga shifrat dhe puna aktive që ky institucion ka shfaqur gjatë veprimtarisë. Duhet të përmendet që për një kohë kaq të shkurtër janë ngritur 7 qendra të ndihmës juridike falas  të cilat janë krijuar me ndihëm e OSFA dhe UNDP. Kjo veprimtari po mbështetet nga 12 organizata dhe 8 klinika ligjore në institucione të arsimit të lartë të cilët operojnë për të ofruar këto shërbime. Përsa i përket risive të ligjit për ndihmën juridike falas zv. ministrja Pirdeni përmendi: zgjerimin e rrethit të subjekteve përfituese; përcaktimi i rrjetëzimit të institucioneve dhe strukturave përgjegjëse si Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas;  përfshirja e  organizatave të shoqërisë civile dhe klinikave të ligjit në Fakultetin e Drejtësisë. Ajo që është e rëndësishme sipas zv.ministres është fakti se ligji parashtron një dimension të ri të ndihmës juridike falas dhe nga gjykatat, të cilat do të vendosin nëse do të akordohet ose jo ndihma juridike për qytetarët të cilët kanë nevojë për asistencë juridike gjatë procesit, e cila u ofrohet nga avokatët.Në këtë kuadër, Ministria e Drejtësisë theksoi znj. Pirdeni, është angazhuar jo vetëm për krijimin e drejtorisë së ndihmës juridike falas, por dhe për plotësimin e kuadrit ligjor me akte nënligjore përkatëse, konkretisht 13 të tilla . Këto akte do të miratohen pas një procesi te gjerë konsultimi me të gjithë aktorët e përfshirë, si me organizatat e shoqërisë civile dhe veçanërisht me komunitetin e avokatëve, ku i referohemi udhëzimit mbi rotacionin e tyre dhe tarifave përkatëse. Misioni i ndihmës juridike falas  është me natyre humanitare, i cili garanton që çdo qytetar  të ketë informacionin e nevojshëm dhe  asistencën e duhur për t’u përballur me institucionet,  përfundoi ajo.

Znj. Patricia Pogaçe nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas paraqiti një prezantim të shkurtër mbi situatën, rolin e Ministrisë së Drejtësisë dhe shifrave ose të dhënave të tjera në lidhje me ndihmën ligjore. Përsa i përket shërbimit të ndihmës juridike parësore e cila konsiston në këshillim ligjor ose përfaqësim në procedura administrative, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, administron 7 qendra të ndihmës juridike parësore  në Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Gjirokastër  ku është dhe  qendra më e re. Në këto zyra gjenden juristë , të cilët brenda orarit zyrtar presin qytetarët për këshillim ligjor. Gjithashtu janë lidhur 8 marrëveshje bashkëpunimi me klinikat e ligjit në universitete. Këto klinika kanë qenë një sfidë për drejtorinë për shkak të pandemisë pasi leksionet u zhvilluan online. Në lidhje me bashkëpunimin për herë të parë të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile në fushën e ndihmës juridike të ofruar nga shteti, në shtator te 2020 u mundësua autorizimi i 12  organizatave jo fitimprurëse, të cilat  kanë dhënë një ndihmesë përsa i përket ndihmës juridike parësore. Nga qendrat e ndihmës juridike shtetërore, në periudhën janar -tetor 2020, janë trajtuar gjithsej 1100 raste të ndihmës juridike  parësore, ndërsa në OJF-të e autorizuara janë trajtuar mbi 500 raste. U theksua nga znj Pogaçe, se një rëndësi të veçantë ka dhe platforma “Juristi Online” përmes të cilës çdo qytetar në mënyrë elektronike, mund të përfitojë brenda ditës këshillim ligjor falas. Për qytetarët të cilët nuk kanë akses në internet, drejtoria në bashkëpunim me OSFA mundëson një numër të gjelbër falas ku qytetarët mund të kërkojnë këshillim ligjor. Konkretisht në periudhën janar -tetor 2020 janë trajtuar gjithsej 3000 raste nga të gjithë ofruesit së bashku. Sa i përket shërbimit të ndihmës juridike dytësore, gjatë këtij viti janë lidhur kontrata me 73 avokatë dhe 120 qytetarë kanë përfituar nga kjo ndihmë. Gjithashtu, ajo theksoi se një nga reformat më të reja është përjashtimi nga taksat dhe tarifat gjyqësore. Tashmë qytetarët të cilët përfitojnë ndihmë juridike falas , kanë të drejtë të kërkojnë përjashtimin nga pagimi i këtyre tarifave. Këto tarifa tashmë paguhen nga Drejtoria për Ndihmën Juridike Falas. Duke u bazuar në të dhënat statistikore, znj. Pogaçe solli në vëmendje një rritje progresive të rasteve të cilën e argumentoi me rritjen e cilësisë. Pavarësisht situatës që krijoi pandemia, drejtoria është  përpjekur që të zhvillojë trajnime në kuadër të forcimit të kapaciteteve. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas është angazhuar  në një sërë strategjish në kuadër të anëtarësimit në BE, ku me rëndësi është strategjia për ndihmën juridike të garantuar nga shteti e cila është një plan strategjik pasi akoma nuk ka marrë formën e saj përfundimtare. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas po e asiston këtë strategji që po realizohet nga Ministria e Drejtësisë dhe EURALIUS. Znj. Pogaçe sqaroi që kjo strategji 5-vjeçare do të përcaktojë objektivat dhe masat konkrete që duhet të ndërmerren nga ky institucion  në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm në të ardhmen, ku një nga objektivat e  drejtorisë është promovimi i shërbimit dhe njohja e qytetarëve me këtë sistem.

Znj. Eva Kovacechova, avokate dhe ish drejtore e Qendrës së Ndihmës Ligjore në Sllovaki, si ekspertja sllovake, pasqyroi sfidat kryesore të ndihmës ligjore në Sllovaki si dhe rastet e suksesit. Ajo e filloi prezantimin e saj duke shpjeguar si fillim Kushtetutën e Sllovakisë, ku një ndër të drejtat e garantuara si e drejta për një gjykim të drejtë, përfshin të drejtën për asistencë ligjore. Sllovakia ka krijuar gjithashtu një institucion sa i përket dhënies së ndihmës ligjore  e cila njihet si “Qendra për asistencën ligjore”, e krijuar në 2005. Ajo përmban 160 të punësuar ku përfshihen juristë, stafi i ndihmës juridike parësore dhe asistentë. Misioni i kësaj qendre është dhënia e ndihmës ligjore në fusha të caktuara për njerëzit të cilët nuk kanë mundësi të përfitojnë ndihmën ligjore të një avokati. Ndihma mundësohet për të gjitha fushat duke filluar nga ajo civile, tregtare, administrative, çështjet e azilit, ekspulsin dhe përfaqësim në Gjykatën Kushtetuese. Për të përfituar këtë asistencë, ekspertja sqaroi që duhet të plotësohen disa kushte që lidhen me të ardhurat e klientit, të cilat nuk duhet të kalojnë minimumin e pagës, e cila në 2020 është 301 Euro. Ndërkohë qe vlera  e shpenzimeve gjyqësore të mosmarrëveshjes duhet ta tejkalojë minimumin e pagës. Qendra ofron gjithashtu dhe ndihmë parësore nëpërmjet konsultimeve paraprake, konsultim paraprak ligjor, shpjegimin e procedurës dhe kushteve për përfitimin e ndihmës nga qendra si dhe asistencë në përgatitjen e aplikimit. Sa i përket procedurës së dhënies së ndihmës, ajo nis me aplikimin e palës së interesuar, vendimi për miratim vjen brenda 30 ditëve nga dërgimi i kërkesës, më pas juristët dhe avokatët e qendrës fillojnë procedurat ligjore, nëse është e nevojshme është e mundur dhe prania e përkthyesve ose interpretuesve. Përsa i përket disa problematikave lidhur me qendrën, ajo u shpreh se ekzistojnë disa sfida të cilat duhet të adresohen si: procedura burokratike, kjo vjen pasi vetë procedura e vendimmarjes është një procedurë administrative dhe si e tillë klientët janë të detyruar të paraqesin dokumenta ose certifikata të ndryshme nga institucione të tjera. Një problematikë tjetër që ajo shtoi ishte dhe hezitimi i avokatëve për të marrë përsipër çështjepasi kjo sjell tarifa shumë të ulta të kërkesave ligjore të tij dhe nga ana tjetër ekzistenca e kritereve  përsa i përket të ardhurave  për aplikantët. Në vitin 2017 qendra mundësoi dhënien e ndihmës ligjore për viktimat e krimeve, veçanërisht kategoritë vulnerabël sipas ligjit, të cilat janë: të miturit, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar , viktimat e trafikimit dhe torturës nga njerëz të afërt. Ndihma përfshin : asistencë ligjore, shpërblim dëmi, e drejta për informim kur ka gjykime penale ose kontakteve të organizatave të ndryshme jo fitimprurëse, të akredituara nga Ministria e Drejtësisë, të cilat mundësojnë asistencë në këto çështje si dhe kontaktin me një psikolog.  Kjo ndihmë kryhet nga qendra për ndihmën ligjore  vetëm sipas rregullave të procedurës civile, pasi qendra nuk pranon çështje të procedurës penale. Megjithatë, përsa i përket këtyre çështjeve, i padituri ka të drejte që të kërkojë ndihmë ligjore falas, nëse ai nuk ka burime financiare të mjaftueshme për të përballuar kostot e shpenzimeve gjyqësore. Kjo vendoset nga prokurori ose gjykata. Ndihma ligjore në procedimet penale për të paditurit, mundësohet vetëm nga avokatët të cilët përcaktohen rastësisht nga radhët e specialistëve në gjykatat respektive të rrethit. Në ndryshim nga viktimat e krimeve, të cilëve kjo ndihmë u ofrohet nga shteti, Ministria e Drejtësisë, Qendra për Ndihmë Ligjore Falas, por jashtë Gjykatës Penale dhe nga avokatët. Përveç qendrës ka dhe mënyra të tjera për të përfituar ndihmë ligjore falas. Ekziston mundësia që të kërkohet ndihmë ligjore falas dhe duke iu drejtuar drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese, pa iu drejtuar në fillim qendrës . Gjithashtu Shoqata Sllovake e Avokatëve e mundëson këtë ndihmë. Kjo shoqatë organizon 1-2 herë në vit ditën e “derës së hapur”, që do të thotë se këta avokatë u mundësojnë ndihmë ligjore falas në disa qytete, njerëzve të cilët kanë nevojë për këshillim ligjor. Ndihmë ligjore ofrojnë gjithashtu dhe organizatat jo fitimprurëse nëpërmjet programit “pro bono”, në varësi të fushës që ato përfshijnë , klinikat e ligjit në Universitetet e Drejtësisë dhe vetë avokatët pasi ndihma falas është pjesë e profesionit të tyre.

Znj. Evis Fico, këshilltare e Ministrit në Ministrinë e Drejtësisë, pasi falenderoi EMA-n  për rikthimin e Konventës Europiane në Shqipëri, drejtoi moderimin e sesionit të pyetjeve dhe diskutimeve të cilat u fokusuan tek dhënia e ndihmës juridike “pro bono” nga avokatët dhe nga OJF në mbrojtje të viktimave të krimeve dhe duke u fokusuar tek këto të fundit veçanërisht tek dhënia e ndihmës për këto kategori duke mos u përqendruar vetëm tek dhënia e ndihmës parësore,por duke e zgjeruar dhe me shërbime të tjera. Në fund znj Fico organizoi përmbledhjen e përfundimeve dhe rekomandimeve. Në rekomandimet e 2016 në kuadër të Konventës Europiane, flitej për një ligj të amenduar të ndihmës juridike i cili ishte me problematika. Tashmë flasim për një sistem të ri dhe të rregulluar i cili garanton një  ligj efektiv të ndihmës juridike të vitit 2017 dhe me akte nënligjore të plota. Ngritja e Drejtorisë së Ndihmës Juridikë të Garantuar nga shteti, si institucion i Ministrisë së Drejtësisë, siguron aksesin në organet e drejtësisë për të gjithë qytetarët pavarësisht mundësive financiare, veçanërisht dhe nga kategoritë vulnerabël si viktimat e trafikimit dhe të miturit. Përsa i përket buxhetit të drejtorisë, në 2016 flitej për një mungesë buxheti me vlerën 27 milion lekë dhe të mjeteve të tjera të nevojshme për implementimin me sukses të ndihmës ligjore në Shqipëri. Znj. Fico shpehet se ka rritje të dukshme, duke parashikuar në 2021 trefishim të buxhetit me 82 milion lekë. Në lidhje me instrumentet e ndihmës juridike ka shumë të tilla ku për herë të parë në bashkëpunim me fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” , ndihma juridike ofrohet online, nëpërmjet një platforme dedikuar shërbimeve ligjore falas. Një instrument tjetër është numri i gjelbër, ku janë trajtuar rreth 1021 raste  të ndihmës juridike jo vetëm nga grupet e margjinalizuara , por dhe qytetarë të tjerë të cilët kanë telefonuar tek juristi online, pa dallim dhe pa tarifë. Një nga risitë sipas znj. Fico, në 2020 është miratimi i udhëzimeve për rregullat e zbatimit të tarifave dhe parimit të rotacionit të avokatëve, të cilët do të ofrojnë shërbime të ndihmës juridike dytësore. Nëse më parë flitej për organizata të cilat operonin direkt në fushën e dhënies së ndihmës juridike përmes projekteve, tashmë është Ministria e Drejtësisë, ku me autorizimin që u ka bërë 12 organizatave  të shoqërisë civile dhe në bazë të përcaktimeve të ligjit për ndihmën juridike falas  të vitit 2017, koordinon veprimtarinë duke përcaktuar rregulla të qarta  duke vendosur dhe një koordinator i cili koordinon punën me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas bashkë me agjencitë dhe harton raportet periodike të këtyre shërbimeve. Në 2016 nuk kishte modele qendrash si këto . Që me krijimin e këtyre qendrave, znj. Fico deklaron se kanë marrë shërbim mbi 5000 qytetarë dhe janë trajtuar 120 kërkesa për ndihmë juridike dytësore ku konkretisht: 94 janë kërkesa për çështje civile. Gjithashtu janë dhënë 120 vendime gjyqësore më një shpenzim prej 2 milion lekësh me një listë prej 73 avokatësh. Drejtoria e Mbikëqyrjes së Ofrimit të Shërbimit të Ndihmës Juridike ndjek komunikimet dhe  bashkëpunimet me të gjithë avokatët dhe ofruesit e ndihmës juridike parësore dhe dytësore.

Ju mund ta ndiqni aktivitetin në YouTube në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=skI6cUxyWmI&list=PLo5-u0UaQgmyTuCLRbzLJh4xgggMHPCOe&index=2