Forum dhe Vizitë Studimore në Tiranë: “Ndërgjegjësim mjedisor: Diskutim praktik i zbatimit të ligjit të mjedisit për studentët e rinj”

17992200_1735228889827472_8577874392519637970_n

Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Sllovake në Shqipëri, dhe pjesëmarrjen e zv. Ambasadorit Sllovak, z. Milan Selecký, në kuadër të Konventës për Integrimin Europian, zhvilloi në Tiranë më datë 20 prill 2017, një vizitë studimore ndjekur nga një forum diskutimi me fokus “Ndërgjegjësim mjedisor: Diskutim praktik i zbatimit të ligjit të mjedisit për studentët e rinj”.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Kompanisë Plastike të Riciklimit “Everest” në Kashar, ku pjesëmarrësit u pritën nga specialistja e kësaj kompanie, znj. Daniela Lika dhe së bashku realizuan vizitën studimore në kompaninë ricikluese. Ajo bëri një prezantim të kompanisë dhe procesit të riciklimit, mënyrës së funksionimit , risitë që ka sjellë por, dhe problemet e hasura në lidhje me legjislacionin shqiptar.

Më pas së bashku me z. Elton Qendro, Ekspert i Mjedisit pranë OSBE-së u vizitua në terren ndotja e lumit të Tiranës. Më pas në forumin diskutues ai foli rreth krimit mjedisor, problemeve që ai po sjell dhe mënyrat sesi ai mund të reduktohet me anë të sensibilizimit dhe shpërndarjes së informacionit në publik. Z. Qendro prezantoi G.N.K.M (Grup i Mandatuar në mbështetje ndaj përgjigjes Kundër Krimit Mjedisor), strukturën, anëtarësinë, strategjitë dhe objektivat për vitin 2017. Theksi u vendos në luftën e çështjeve mjedisore jo me anë të hallkave të fundit të gjykimit ose dënimit sipas Kodit Penal, por nëpërmjet metodave alternative me efekt më të madh dhe afatgjatë siç është ndërgjegjësimi qytetar.

Av. Holta Ymeri, Eksperte e Mjedisit prezantoi Konventën e Aarhusit dhe tre të drejtat themelore që rrjedhin nga kjo Konventë, si dhe sqaroi si ajo zbatohet në kontekstin shqiptar. Tre të drejtat që Konventa e Aarhus përfshin janë: 1) Aksesi për informacion mjedisor 2) Pjesëmarrje në vendimmarrje dhe 3) Pjesëmarrje në gjykatë. Për znj. Ymeri, Shqipëria është një nga vendet që e ka ratifikuar këtë Konventë, duke nënkuptuar se situata konkrete që u vëzhgua është problematike pasi dallohet që kjo Konventë nuk po zbatohet siç duhet. Ajo përmendi disa nga ligjet që mundësojnë respektimin e këtyre tre të drejtave në Shqipëri si dhe u shpreh se problemi qëndron në shoqatat mjedisore, të cilat janë të dobëta dhe pa mbështetje.

z. Florian Xhafa, Jurist dhe Ekspert i fushës së Mbrojtjes së Konsumatorit analizoi strukturën dhe elementët e legjislacionit që përfshihen në këtë fushë. Ai e vuri theksin në rolin e shtetit si menaxhues dhe peshore e raportit mjedis-individ dhe sesa e rëndësishme është mbrojtja e mjedisit si një trashëgimi që lihet brez pas brezi dhe që ndikon direkt dhe indirekt në të qenurit konsumator.

z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA, mbajti fjalën përmbyllëse duke i falenderuar të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e treguar dhe duke i ftuar në aktivitetet e radhës.

Aktiviteti u shoqërua nga pyetje dhe diskutime me pjesëmarrësit, të cilët patën interes për diskutim rreth çështjeve me dimension praktik dhe teorik.