Aktivitet Informues në Vlorë: Monitorimi i kapitullit 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitulli 24 (Drejtësi, Liri dhe Siguri)

IMG-20171031-WA0011

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Universitetin e Vlorës “ Ismail Qemali”, organizuan në Vlorë më 31 tetor 2017, aktivitetin “Monitorimi i Kapitullit 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitullit 24 (Drejtësi, Liri dhe Siguri) i procesit të pranimit të Shqipërisë në BE”.


Sundimi i ligjit cilësuar si një vlerë themelore e rendit kushtetues është një nga kriteret kryesore për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas pranimit të statusit kandidat në vitin 2014, vendi është në një fazë të hershme të përgatitjes për negociatat e pranimit. Duke qenë që këtë vit nuk do të ketë raport nga Komisioni Europian, EMA po ndërmerr një sërë aktivitetesh monitorimi dhe informimi në kuadër të Programit të Sundimit të Ligjit në Europën Juglindore (RLP SEE), me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung (KAS) .
Z. Roland Zisi, Rektor i Universitetit të Vlorës, gjatë fjalës hapëse theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti, meqenëse njohuritë e qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile, mediave apo studentëve sidomos në nivel lokal janë të kufizuara sa i përket prioriteteve të Kapitullit 23 dhe 24 për pranimin e Shqipërisë në BE, si dhe mbi fazën aktuale të zbatimit të politikave dhe mangësive të kuadrit ligjor dhe zbatimit nga institucionet shtetërore.
Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA theksoi se ekipi hulumtues i EMA-s do të prezantojë situatën aktuale dhe nivelin e zbatimit të politikave, boshllëqet ligjore, rolin dhe kontributin e institucioneve dhe aktorëve të ndryshëm në prioritetet kryesore të adresuara për Kapitullin 23 dhe 24, duke marrë parasysh zhvillimet dhe situatën në vitin 2017.
Eksperti Juridik, z. Periand Teta, prezantoi gjetjet kryesore dhe rekomandimet e Raportit të Monitorimit: “Kapitulli 23: Reforma në Drejtësi” duke u përqendruar në temat kryesore të Pavarësisë, Paanshmërisë, Llogaridhënies së Gjyqësorit, Profesionalizmit dhe Kompetencës, Cilësisë së Drejtësisë dhe efikasitetin e saj; si dhe mbi Luftën kundër korrupsionit.
Në vazhdim, znj. Dorina Ndreka Asllani, nga fusha e akademisë si Lektore e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, prezantoi Rekomandimet e Raportit kryesor të Monitorimit: “Kapitulli 24: Bashkëpunimi Gjyqësor në Çështjet Civile në Procesin e Integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian ” i orientuar drejt: i) Kuptimit të bashkëpunimit gjyqësor në çështjet civile në të drejtën europiane; ii) Hapat e ndërmarra nga Bashkimi Europian për bashkëpunimin gjyqësor në çështjet civile; iii) Hapat e ndërmarra nga Shqipëria dhe organet kompetente në këtë drejtim.
Gjatë Sesionit të Pyetjeve dhe Përgjigjeve, pati disa komente dhe ndërhyrje nga znj. Holta Ymeri, Kryeredaktore e Revistës Juridike Shqiptare. Qasja informative dhe e hapur për diskutim arriti të përmirësojë dhe rrisë njohuritë e grupit të synuar për çështjet e sundimit të ligjit, rolin dhe kontributin që veçanërisht institucionet vendore dhe aktorët e Akademisë kanë, për ta çuar përpara procesin, në progresin aktual të arritur dhe në realizimin e objektivave reale.